Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se adresimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi lidhur me Gjykatën Speciale është më shumë për ulje të gjakrave të grupeve të cilët e duan shfuqizimin e kësaj gjykate.
Ai ka thënë se është i mirëseardhur çdo adresim i institucioneve që kërkojnë respektimin e mandatit të gjykatës speciale.
Sipas tij, Kuvendi i Kosovës nuk ka kompetencë t’ia vazhdojë mandatin e kësaj gjykate, porse mandati i saj mund të vazhdohet me automatizëm nëse nuk ka njoftim se i ka përfunduar të gjitha rastet që i ka në punë.
“Kërkesat për shfuqizim nuk përkon me realitetin dhe janë vështirë të aplikueshme. Çdo iniciativë e tillë i bënë dëm Kosovës dhe është lajm i mirë për Serbinë. Ky është obligim ndërkombëtar dhe duhet përfunduar”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të bartë sovranitetin apo të kërkojë nga Specialja të hetojë krimet e luftës që ka bërë Serbia.
Ai thotë se Kosova është shtet dhe duhet të gjendet vullnet për ndjekjen e krimeve të luftës.
“Që nga koha kur ka qenë UNMIK-u e pastaj EULEX-i, si politika ashtu edhe institucionet e sigurisë nuk e kanë kryer mandatin e tyre për t’i gjykuar ata që kanë kryer krime në Kosovë. Del që më shumë janë të ndjekur shqiptarët për krime lufte sesa serbët”, ka thënë ai.
Miftaraj ka thënë se është koha e fundit që politika të ndalojë amnistimin e aparatit shtetërorë serb për krime lufte dhe të ndajë buxhet të duhur për strategji për të gjykuar krimet e luftës.