Fjalë Kyçe

Një i arrestuar nga policia, për dy punëtorët që ranë dje nga ndërtesat e larta

Një i arrestuar nga policia, për dy punëtorët që ranë dje nga ndërtesat e larta

Dy punëtorë u lënduan në vendin e punës gjatë ditës së hënë. Njëri në Prishtinë e tjetri në Gjakovë, të dy ishin punëtorë të kompanive ndërtimore. Ata kanë pësuar lëndime trupore dhe po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ishte duke kryer punën e tij në një punishte në Prishtinë, por pasditja e së hënës ishte kritike për punëtorin e ndërtimtarisë.

Derisa ishte në vendin e tij të punës, ai u rrëzua nga kati i tretë i objektit në të cilin po punonte.

Ai dërgua në Qendrën Klinike Universitare në gjendje të rëndë shëndetësore.

Policia ka intervistuar pronarin e kompanisë, ndërkaq me urdhër të prokurorit rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar se rasti po cilësohet si “Asgjësim dhe dëmtim – heqje e pajisjeve mbrojtëse në vendin e punës”.

“Është raportuar se viktima mashkull kosovar është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, pasi që i njëjti derisa ishte duke punuar në një vend –punishte (kompani ndërtimi) është rrëzuar dhe ka pësuar lëndime trupore. Në lidhje me rastin është intervistuar pronari i kompanisë i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit rasti vazhdon n procedurë të rregullt”, ka njoftuar policia.

Një rast i njëjtë ka ndodhur edhe në Gjakovë, mesditën e së hënës.

Atje, një punëtor është rrëzuar nga dymbëdhjetë metra lartësi, ku edhe ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë, pasditen e së hënës.

Punëtori i ndërtimtarisë është dërguar në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.

Ndërkaq policia ka arrestuar një person i cili ishte përgjegjës për siguri në punë.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Është raportuar se viktima mashkull kosovar i cili ishte duke punuar në një objekt në ndërtim e sipër është rrëzuar nga një lartësi dymbëdhjetë metra dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore. Viktima është dërguar në QKUK Prishtinë për tretman mjekësor ndërsa është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar përgjegjës për siguri në punë dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia.