Barcelona është duke tentuar dëshpërimisht ta arrijë një marrëveshje në vlerë 280 milionë euro me Manchester City, për Lionel Messin.
Gjiganti spanjoll beson se Messi e ka ndarë mendjen për t’iu bashkuar Pep Guardiolës në Etihad, prandaj shpreson në një ujdi fitimprurëse me anglezët, sipas Mirror, transmeton Gazeta Express.
Messi e ka një klauzolë lirimi në vlerë 700 milionë euro, e cila nuk mund të paguhet nga asnjë klub, sidomos në tregun e sotëm që është goditur rëndë nga ndikimi i pandemisë koronavirus.
Prandaj, Barça është e gatshme ta pranojë një ofertë para+lojtarë.
Ronald Koeman dëshiron ta rindërtojë skuadrën dhe klubi synon t’ia sigurojë atij të paktën 135 milionë euro nga shitja e kapitenit legjendar.
Trajneri holandez i Barçës shpreson se në marrëveshje do të përfshihen Gabriel Jesus dhe Bernardo Silva, përveç parave.
Ka edhe lojtarë të tjerë të cilët Guardiola është i gatshëm t’i flijojë për Messin – përfshirë John Stones, Nicolas Otamendi, Benjamin Mendy, Joao Cancelo, Oleksandr Zinchenko dhe Angelino.