Nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është thënë se deri në 20 persona të pagjetur do të mund të identifikoheshin me anë të ADN-së, sikur familjarët e të pagjeturve t’i jepnin mostrat e gjakut.
Zëvendës-drejtoresha e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe ekspertja e EULEX-it, Tarja Formisto, ka thënë se njëri prej problemeve me të cilat është ballarfaquar gjatë procesit të identifikimit të mbetjeve mortore është fakti se jo të gjithë të afërmit e personave të pagjetur i kanë dhënë mostrat e tyre të gjakut për analizën e ADN-së.
“Ka familje të cilat refuzojnë t’i japin mostrat e gjakut për arsye të ndryshme. Disa besojnë se të afërmit e tyre janë ende gjallë, të tjerët nuk duan t’i japin mostrat e gjakut përpara se kryerësit e veprave të sillen përpara drejtësisë”, tha Formisto sot, në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjes së Dhunshme .
“Unë vlerësoj se deri në 20 persona të pagjetur do të mund të identifikoheshin me anë të AND-së, sikur familjarët e të gjithë personave të pagjetur t’i jepnin mostrat e gjakut. Unë dëshiroj t’u bëj apel të afërmëve të gjithë personave të pagjetur që t’i japin mostrat e gjakut ashtu që ne të mund ta përfundojmë procesin e identifikimit për disa prej tyre,” tha Zëvendës-drejtoresha e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës.
Duke folur për arsyet pse ende më shumë se 1640 persona në Kosovë të zhdukur gjatë luftës nuk janë gjetur, Formisto thotë se ekziston mungesë e informacioneve të reja dhe të besueshme për lokacionin e saktë të varrezave, duke shtuar se disa prej mbetjeve mortore janë në varreza masive, disa në varreza klandestine, si dhe nëpër varreza në zona të ndryshme, gjë që e bënë të vështirë procesin e lokalizimit të mbetjeve mortore.
“Ekziston gjithashtu edhe çështja e një numri të caktuar të keqidentifikimeve. Menjëherë pas konfliktit kufomat janë identifikuar në mënyrë të përgjithësuar, për shembull nëpërmjet fotografive, rrobave apo gjësendeve personale, që ka rezultuar në gabime të cilat sot është vështirë të gjurmohen dhe të korrigjohen”, tha ekspertja e EULEX-it.
Ekspertët e EULEX-it vazhdojnë të punojnë së bashku me kolegët vendas të tyre në Institutin e Mjekësisë Ligjore duke ofruar ekspertizë dhe këshilla për identifikimin e varrezave të mundshme klandestine dhe për zhvarrimin dhe identifikimin e viktimave nga konflikti i Kosovës. Prej filimit të mandatit të EULEX-it e deri më sot, ky Mision i ka kryer 656 operacione në terren për t’i lokalizuar personat e pagjetur, përfshirë 166 zhvarrime. Janë identifikuar mbetjet mortore të 456 individëve, përfshirë 316 persona të pagjetur.