Sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është arritur marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, derisa një nga pikat parasheh anëtarësim të barabartë në mini-Schengenin Ballkanik të Kosovës dhe Serbisë.
Me mini-Schengenin Ballkanik nuk ishte pajtuar ish-kryeministri i Kosovës, tani partner i Mustafës në qeveri, Ramush Haradinaj.
Ai kishte thënë se mini-Schengeni është zgjerim i influencës ruse dhe kineze në Ballkan.
“Minishengeni për të cilin po na ftojnë Vuçiqi, Rama e Zajevi është vetëm zgjerim i influencës ruse dhe kineze në Ballkan. Nuk është interes i Kosovës dhe Evropës. Rusia dhe Kina janë të instaluara në të gjitha aspektet në Beograd. Kur ne bëjmë rregulla të njëjta me automatizëm kjo influencë zgjerohet në vendet tona. A ka interes Kosova që kjo influencë të zgjerohet në Kosovë, jo pra nuk është në interes tonin”, kishte thënë Haradinaj.
Ndërsa sot, pika e 5-të e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë sot thotë se: “Të dy palët do të futen në “mini-Schengen”, të shpalosur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe të shfrytëzojnë plotësisht përfitimet e saj.”
Lidhur me këtë nuk kanë pasur kundërshtime as kreu i AAK-së Haradinaj e as kreu i LDK-së, Mustafa.