Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj në një intervistë për KosovaPress deklaroi vetëm pjesëmarrja e delegacionit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë përbën fitore për vendin tonë pasi sipas saj, raportet me SHBA ishin të rrezikuara seriozisht vetëm disa muaj para vizitës. Sipas saj, njohja nga Izraeli mund të cilësohet si fitore e madhe, njëjtë si investimet në infrastrukturë.
Balaj-Halimaj nuk e sheh si penailizim për Kosovën faktin që vendi ynë nuk duhet të aplikojë në organizata ndërkombëtare për një vit. Sipas saj, brenda kësaj periudhe kohore, Kosova duhet të përgatitet për aplikim dhe më pas me mbështetjen e SHBA edhe të pranohet. Ajo thekson se Kosova nuk mund të pranohet në asnjë organizatë pa koordinim me Amerikën.
Me marrëveshjen e Uashingtonit, Serbia obligohet të ndalojë fushatën çnjohjeve ndaj shtetësisë së Kosovës, por Balaj-Halimaj thotë për KosovaPress se Kosova ka të drejtë të vijojë fushatën e lobimit për të siguruar njohje të reja.