Kryeparlamentarja Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, pasi ky i fundit e kritikoi duke i thënë se Kosovës i duhen politikanë që bëjnë më shumë se veç të ankohen. Në kundërpërgjigjen e saj Osmani ka thënë se njohja e Kosovës nga Serbia nuk është simbolikë.
“Ajo është njohje e një realiteti të cilin SHBA-ja ishte e para që e bëri. Të quash shtetësinë tonë, që është projekt i përbashkët i popullit të Kosovës me të SHBA-së ‘simbolikë’, minimizon investimet amerikane në Kosovë. Dhe jo, ne nuk kemi luftuar me Serbinë për ‘fjalët, mbiemrat e simbolikat’, por kemi luftuar për lirinë, kemi luftuar kundër gjenocidit. Delegacioni i Kosovës nuk ishte transparent. Ata kanë thënë se do të marrin njohje reciproke. Duhet të marrin përgjegjësi për zotimet e tyre publike”, ka shkruar ajo në Twitter, teksa ka shtuar se pajtohet që “simbolika s’krijon vende pune” e duke thënë se “këtë s’mund ta bëjnë as politikanë të korruptuar në Kosovë që kanë udhëhequr me shtetin e e kanë shkatërruar ekonominë tonë në 20 vjetët e fundit”.