Fjalë Kyçe

Reja dhe Hysaj, optimist para ndeshjes me Lituaninë

Reja dhe Hysaj, optimist para ndeshjes me Lituaninë

Kombëtarja e Shqipërisë do ta kërkoj fitoren e dytë në Ligën e Kombeve, në shtëpi ndaj Lituanisë.

“Kuqezinjtë” e nisën me fitore rrugëtimin në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve duke e mposhtur Bjellorusinë në Minsk.

Përzgjedhësi Edi Reja, ka vlerësuar lartë kundërshtarin e ardhshëm. Ai e ka cilësuar si të vështirë përballjen me Lituaninë.

“Do jetë një ndeshje e vështirë, Lituania ka një skuadër që luan mirë me topin dhe lojtarë shumë të shpejtë. Kam besim te ekipi im. Nuk e di si do jetë gjendja e lojtarëve. Mund të bëjmë 3-4 ndryshime. Më duhet të jem i kujdesshëm në zgjedhjet e mia. Lituania humbi ndeshjen e parë, por pas humbjes do kërkohet një rezultat pozitiv”, ka deklaruar Reja.

Edhe kapiteni i “kuqezinjve” Elseid Hysaj është shprehur optimist para këtij takimi. Mbrojtësi i krahut të djathtë ka kërkuar nga bashkëlojtarët të kenë kujdes nga Lituania.

Ndeshja Shqipëri – Lituani, luhet të hënën nga ora 20:45 në stadiumin “Air Albania”.