Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka njoftuar se 1 mijë e 500 mësimdhënës do të testohen për koronavirus, ose 6.5% e tyre dhe përzgjedhja do të bëhet në mënyrë rastësore.
Ministri theksoi se testimi ka filluar.
“Testimi ka filluar. Sot edhe në komunën e Shtimes kanë shkuar arsimtarë të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme për tu testuar në Ferizaj”, u shpreh Likaj.
Ai po ashtu tha se janë në pritje të rekomandimeve të institucioneve për fillimin ose jo të mësimit me 14 shtator.
“Këto vizita realizohen pa paralajmërim që të shohim gatishmërinë për fillimin e vitit të ri shkollor sipas udhëzimeve të MASH-it. Thënë të drejtën jemi të kënaqur me përgatitjet që janë bërë. Ne jemi të përgatitur, presim rekomandimin për fillimin e vitit të ri shkollor nga institucionet përgjegjësi”, ka thënë ai.
Këto komente Likaj i bëri gjatë një vizite në disa shkolla në Shtimes.
Likaj tha se këto vizita po realizohen pa paralajmërim, por që u shpreh i kënaqur me organizimin që po bëjnë shkollat për fillimin e vitit të ri shkollor.