Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media njoftoi se prej muajit të ardhshëm do të bëhen publikë kandidatët e kryetarëve nëpër komunat e Kosovës.
Sipas kryetarit Kadri Veseli, PDK, bashkë me qytetarët, do të bëjnë gati edhe platformën për zgjedhje lokale.
“Të ndërtojmë platformë për zgjedhjet lokale. Në zgjedhjet e ardhshme lokale PDK-ja do të fitojë shumicën absolute të komunave të Kosovës. Muajin e ardhshëm do të fillojmë shpalljen e kandidaturave për kandidatë për asamble komunale”, tha Veseli duke u bërë thirrje qytetarëve që janë profesionalë e që kanë gatishmëri të paraqiten.
Sipas Veselit, koncepti i PDK-së për qeverisje lokale bëhet me qëllim për t’iu shërbyer qytetarëve.
Veseli ka lavdëruar kandidatët e PDK-së, Ramiz Lladrovicin, Besim Ilazi, Agim Aliun që, sipas tij, janë më transparentët sa u përket kryetarëve komunave të Kosovës.