Fjalë Kyçe

Osmani në 1 vjetorin e zgjedhjeve: Vullneti i qytetarëve është përdhosur

Osmani në 1 vjetorin e zgjedhjeve: Vullneti i qytetarëve është përdhosur

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar se sot janë bërë 1 vjet prej zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, e kur Lëvizja Vetëvendosje doli si parti fituese. Bashkë me Lidhjen Demokratike, si parti e dytë fituese, bënë koalicionin qeverisës.

Osmani, thotë se pavarësisht kërkesës së qytetarëve në këto zgjedhje, vullneti i tyre u përdhos.

“Më 6 tetor të vitit të shkuar Kosova shënoi kthesën më të madhe politike në 15 vitet e fundit. Qytetarët e saj treguan haptas se nuk duan të jetojnë në një shtet i cili u shërben vetëm një grushti njerëzish dhe i cili pasurinë publike ua lë në dorë keqbërësve. Me votën e tyre ata e thanë zëshëm dëshirën e tyre për shtet të së drejtës e për jetë të dinjitetshme”, shkroi Osmani në Facebook.

Osmani thotë se sot 1 vit, vullneti i qytetarëve është tjetërsuar. Gjithashtu, thotë Osmani, vullneti i tyre do të rikthehet më fuqishëm për ta çkapur vendin nga strukturat që sipas saj, e mbajnë vendin të uzurpuar.

“Sot, një vit më pas, ky vullnet qytetar është përdhosur, ndërsa vota e tyre është tjetërsuar. Kosova frymon me pamjen e zymtë, si atë të para 6 tetorit, e cila e ka tjetërsuar vullnetin qytetar dhe e ka instaluar një qeveri, e cila jo vetëm që nuk e përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit për ndryshim, por është e vendosur që t’u kundërvihet atyre, si për t’u treguar se vota e tyre është e pavlerë, se ata mund të vendosin të bëjnë qeveri e të marrin vendime për vendin pavarësisht vullnetit qytetar. Edhe pse jam skajshmërisht e zhgënjyer me sjelljen e tillë të këtyre kastave politike, jam e lumtur që vazhdoj të qëndroj në krahun e bashkëqytetarëve të mi, me vullnetin e pathyer të tyre për ndryshim, vullnet i cili sot mund të jetë i ndrydhur, por jo i shuar. Ai do të rikthehet edhe më i fuqishëm, për ta çkapur njëherë e mirë vendin nga strukturat që e mbajnë të uzurpuar atë. Tek e fundit, vota e 6 tetorit nuk qe zotim të cilën e morën politikanët, por qytetarët e vendit. Ata do ta jetësojnë atë, herët a vonë”, shkruan Osmani.

Lidhja Demokratike së fundmi ka kritikuar vazhdimisht Vjosa Osmanin.

Ajo nuk kishte votuar mocionin e mosbesimit të Qeverisë Kurti. E kishte kundërshtuar dhe kishte kërkuar të mos votohet mocioni.

Në qershor të vitit 2020, Mustafa, kryetar i LDK-së, kishte kërkuar edhe shkarkimin e Osmanit nga posti i nënkryetares e anëtares së Kryesisë së Partisë.

Osmani, në këto zgjedhje si garuese prej Lidhjes Demokratike, mori 162 mijë vota.