Fjalë Kyçe

Çitaku kërkoi vetë nga Thaçi që ta lirojë nga pozita e ambasadores në SHBA

Çitaku kërkoi vetë nga Thaçi që ta lirojë nga pozita e ambasadores në SHBA

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi e ka nënshkruar dekretin për tërheqjen e ambasadores Vlora Çitaku nga misioni i saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mirëpo, ishte vetë Çitaku ajo që kishte kërkuar nga presidenti Thaçi largimin e saj nga misioni në Uashington.

Reporteri.net ka siguruar kërkesën e saj drejtuar presidentit Thaçi, ku Çitaku kërkon të lirohet nga detyra e Ambasadores së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo njofton se është e gatshme të vazhdojë të qëndrojë në Uashington deri në emërimin e ambasadorit të ri.

Kërkesa është dërguar më 24 shtator.

Tërheqja e Vlora Çitakut nga misioni i saj në SHBA vjen pasi në mars të këtij viti, atë kohë Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca mori vendim për shkarkimin e saj. Shkarkimi i saj nxiti polemika të shumta, derisa vetë Çitaku doli me një reagim ku tha se do ta respektojë vendimin e Ministrisë së Jashtme.

“Sigurisht, unë do ta respektoj kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ndonëse e kam të qartë se ligjërisht vetëm Presidenti i Kosovës ka të drejtë të emërojë dhe të shkarkojë ambasadorët e Republikës së Kosovës, mua më mjafton fakti tashmë i ditur botërisht, se unë jam e padëshiruar”, shkroi Çitaku në llogarinë e saj në Facebook.

Çitaku është emëruar në postin e Ambasadores së Kosovës në SHBA në vitin 2015.

Puna e saj në përfaqësimin diplomatik të vendit përgjatë viteve është vlerësuar shumë. Çitaku është vlerësuar sidomos për fjalimet në Këshillin e Sigurimit ku dhjetëra herë është përballur me Ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq.