Fjalë Kyçe

Këto kompani nuk përfitojnë nga 60 milionëshi i Qeverisë për pagat e punëtorëve

Këto kompani nuk përfitojnë nga 60 milionëshi i Qeverisë për pagat e punëtorëve

Kompanitë e Sigurimeve, të cilat janë të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës dhe sektori i noterëve, nuk do të përfitojnë nga masa e qeverisë për subvencionimin e linjës së pagave të punonjësve.

Kështu ka thënë sot ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në një intervistë televizive në T7.

Ajo ka thënë se ka edhe sektore të tjera të bizneseve të cilat nuk përfitojnë nga kjo masë.

Bajrami ka thënë dje se do të ekzekutohen pagesat e parapara nga Pakoja e Rimekëmbjes për mbi 36 mijë biznese në vend.

Bajrami ka deklaruar se pagesat e parapara për ndihmën e bizneseve të prekura nga pandemia COVID-19, janë gati të ekzekutohen në kohë rekord.

Sipas ministres Bajrami, secila firmë private do të përfitojë nga 290 euro për një punëtor të regjistruar.

“Ne e kemi dizajnu këtë masë, duke dashur të eliminojmë 100 për qind subjektivitetin e çfarëdo komisioni të jetë ai. Jemi vonuat tepër në implementim të masave. Kjo është masë që po implementohet në afat rekord. Tanimë i kemi në proces 15 mijë e 500 ndërmarrje, të gjitha brenda ditës së sotme dhe nesërme do të ndihmohen”, ka thënë Bajrami.

Ministrja u ka bërë thirrje bizneseve private që të azhuronojnë të dhënat e tyre, në mënyrë që Ministria e Financave të mos ketë telashe me ekzekutimin e mjeteve për ta.

“Unë u shfrytëzoj rastin që t’u bëjë thirrje bizneseve që të azhurnojnë të dhënat, veçanarisht numrin e xhirollogarisë. Si indikatorë kemi marrë numrin e të punësuarve. Mjetet u shkojnë bizneseve për t’u paguar pagat punëtorëve”, ka thënë Bajrami.

Gjatë ditëve të ardhshme pritet të ekzekutohen këto pagesa edhe për mbi 20 mijë biznese tjera. Në total, pjesë e kësaj mase të qeverisë janë 36 mijë biznese.