Një numër i vogël i komunave në vendin tonë ofrojnë subvencione për foshnjet e porsalindura.
Edhe komuna e Podujevës, pritet të ofrojë mbështetje të ngjashme përgjatë vitit 2021.
Në bisedë për IndeksOnline, nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari ka thënë se për një gjë të tillë është menduar, porse nuk qenë rrethanat e favorshme.
“Për këtë vit nuk kemi planifikuar asgjë, mirëpo besoj se që nga viti i ardhshëm do të ketë subvencione për foshnjet e porsalindura edhe në komunën tonë”, ka thënë ai në një bisedë për IndeksOnline.
Sipas Rudarit, lidhur me këtë çështje duhet edhe përkrahja e Kuvendit Komunal, si dhe ndihma në buxhet.
“Ne e kemi paraparë që nga viti i ardhshëm të kontribuojmë edhe në ketë drejtim, por fillimisht duhet ta shqyrtojmë si mundësi, të aprovohet nga Kuvendi. Por, për një gjë e tillë na duhet ndihmë edhe në buxhet”, ka shtuar tutje ai.
Vlen të përmendim faktin se e fundit që ka ofruar subvencione për foshnjet e porsalindura është komuna e Kamenicës e udhëhequr nga Qëndron Kastrati, iniciativë kjo e mirëpritur mirë nga shumë qytetarë.