Fjalë Kyçe

Liberalizimi i vizave për Kosovën futet në agjendë këtë muaj?

Liberalizimi i vizave për Kosovën futet në agjendë këtë muaj?

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar sot në Berlin një takim me Sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Z. Stephan Mayer.

Siç njofton kumtesa, shefja e diplomacisë e ka falënderuar sekretarin Mayer për mbështetjen e shtetit gjerman karshi Kosovës.

“Në takim me Sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Z. Stephan Mayer shpreha falënderimin e Kosovës ndaj shtetit gjerman, dhe Ministrit Federal Horst Seehofer për ndihmën e pandërprerë dhe bashkëpunimin për forcimin e pozicionit të Kosovës drejt epilogut pozitiv për lëvizje të lirë në BE.”, ka thënë Haradinaj -Stublla.

Kryediplomatja ka theksuar se Kosova ka pritje të larta nga presidenca e Gjermanisë për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Theksova që Kosova ka pritje të larta nga Presidenca gjermane që agjenda e liberalizimit të vizave për Kosovën të futet në agjendë këtë muaj.

Z. Mayer gjithashtu e informova që Kosova tashmë ka filluar punën edhe me Francën dhe Holandën që sipas modelit gjerman të bashkëpunimit në nivel ekspertësh, të përmbyllim këtë proces pozitivisht.”, është shprehur Haradinaj-Stublla.

Shefja e diplomacisë ka theksuar de nga z.Mayer ka marrë mbështetjen për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave.

“Nga Z.Mayer u sigurova që Ministria Federale e Punëve të Brendshme do të mbështesë më tej Kosovën duke ndarë eksperiencën e tyre pozitive të bashkëpunimit me Kosovën edhe me shtetet skeptike, në mënyrë që të përmbyllet me sukses vendimmarrja e Liberalizimit të Vizave. Sekretari Mayer shprehu mirënjohjen për progresin e Kosovës në përmbushjen e kritereve dhe se Gjermania do të jetë gjithnjë një shtet partner dhe mik për vendin tonë.” ka përfunduar Haradinaj Stublla.