Fjalë Kyçe

Selimi: Për Kosovën me Trumpin risku është më i madh, por edhe shpërblimi është më i madh

Selimi: Për Kosovën me Trumpin risku është më i madh, por edhe shpërblimi është më i madh

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se gara për president mes Donald Trump dhe Joe Biden është një ndër garat më interesante që ka pasë Amerika.

Selimi, në Specialen e Klan Kosovës për zgjedhjet amerikane, ka thënë se për dallim nga herët e tjera do të duhet pak kohë që të dihet fituesi.

“Për shkak të COVID-19 ka pasë një votë të madhe me postë. Një prej arsyeve kryesore ka qenë situata me COVID-19, por edhe një paraqitje më e madhe e votuesve këtë herë që nuk dihet se nga do të shkojnë votat. Vi në përfundim se shumica e këtyre votave potencialisht mund të shkojnë me Joe Biden, sepse ata që kanë kërkuar të votojnë me postë janë më të vetëdijësuar për COVID-19, por nuk dihet ende”.

Ai ka deklaruar se janë dy perspektiva të analizës të garës amerikane – analiza prej brenda Amerikës dhe analiza prej sferës globale, ndoshta edhe kosovare.

“Prej brenda Amerikës, Donald Trump i ka arritur të gjitha ‘tikat’ që duhet të bëhen në pjesën ekonomike – rritja ekonomike dhe ulja e papunësisë janë shifra jashtëzakonisht pozitive. I ka pasë edhe disa rrëshqitje, si menaxhimi i pandemisë. Joe Biden e ka një përparësi që ka qenë një prej koordinatorëve të luftës kundër SARS-it që ka treguar sukses dhe kjo ka qenë edhe një nga përparësitë në fushatë të tij”.

“Kjo garë brenda Amerikës është shndërruar në garë të personaliteteve, nuk është më garë e politikave. Joe Biden e ka përqafuar personalitetin e një babai të mirë që kujdeset për familjen e tij dhe një personi të mirë që do të kujdeset për popullin në po atë mënyrë, derisa Donald Trump e ka luajtur kartën e personit të pakompromis që do t’i tejkalojë të gjitha pengesat për të arritur qëllimet e veta për të mirën e amerikanëve. Kjo garë është edhe kompas matës për nivelin etik apo moral të amerikanëve në përqafimin e këtyre dy pozicioneve që kanë paraqitur këta”.

“Sa i përket Kosovës, mendoj që edhe këtu ekziston një ndarje. Te presidenti Donald Trump risku është më i madh, por edhe shpërblimi është më i madh i politikave të tij. Te Joe Biden risku është më i vogël, por shpërblimi është më i gjatë”.

“Marrja e Donald Trump dhe administratës së tij në arritjen e marrëveshjes, edhe dy marrëveshjeve të mëhershme, ka treguar që makineria amerikane ka dalë përtej dialogut teknik dhe ka arritur marrëveshje specifike që i bie që ndonëse risku ka qenë më i madh edhe shpërblimi jonë ka qenë më i madh. Kjo qasje mund të sjellë shpërblim më të madh për neve, por risku në raport me Serbinë potencialisht mund të jetë i diskutueshëm. Te Joe Biden duke e marrë parasysh qëndrimin e tij të mëhershëm përfitimi ndoshta nuk do të jetë i menjëhershëm, por risku është më i vogël”.