Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se mbi baza ditore po e menaxhojnë situatën me COVID-19 përmes QKMF-së dhe institucioneve tjera.
“Vetëm dje, përmes QKMF-së, kemi pasur 53 kontrolla në shtëpi, sipas kërkesave të qytetarëve. Jemi e vemja komunë që e kryejmë këtë shërbim dhe po del të jetë e duhur, sepse nuk ka nevojë që të ngarkohet Spitali i Përgjithshëm”, ka thënë Haziri në konferencën për gazetarë.
Gjendja e përgjithshme në Gjilan që nga fillimi i pandemisë është si vijon: 1504 të infektuar në total, 1192 të shëruar, 48 të vdekur, 264 raste aktive, 21 të hospitalizuar dhe 248 mostra në pritje për rezultat.
“Ju lutem respektoni masat e mos u bëni për Spital”, ka qenë apeli i Hazirit.
Gjatë konferencës, pos Hazirit, mesazhe për respektim të masave anti-COVID-19 kanë dhënë edhe Drejtori Klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit Dr. Ukshin Ismaili dhe drejtoresha e QKMF në Gjilan Dr. Arbenita Hajdari.