Në një konferencë për media sot ka folur ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.
Ky i fundit para gazetarëve është pyetur edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit, për të cilën ka thënë se nuk ka ndonjë nguti në lidhje me këtë çështje, shkruan lajmi.net.
“Ne jemi në një dramë dhe ajo dramë ka filluar të premten për Kosovën dhe PDK-në. Në këtë situatë ne nuk kemi as mundësi as ndonjë nguti që të mendojmë se në çfarë forme të zgjidhet presidenti. Ne presim që koalicioni qeverisës të jetë i qartë se si do të duket procesi i zgjedhjes së presidentit por nuk është shqetësimi i joni se kush e ka shpallur kandidaturën”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj në këtë konferencë foli edhe për qëndrimin e PDK-së sa i përket procesit të dialogut, teksa shtoi se ky proces i takon qeverisë.
Sidoqoftë, tha se këtij institucioni i takon që të rishikojë qëndrimet e tyre.
“Qëndrimi i PDK-së është i qartë, dialogu i takon qeverisë që t’i rishikojnë qëndrimet e tyre në raport me këtë proces. Ne meqë nuk jemi në tavolinë, nuk ia vlen të japim opinion se çka duhet të veprojë qeveria. Dialogu nuk duhet të jetë proces duhet të jetë ngjarje që duhet të përfundojë me njohje”, tha Hoxhaj.
Paraqitja e PDK-së në këtë konferencë vjen vetëm një ora pasi para Gjykatës Speciale doli ish-kreu i kësaj partie, Kadri Veseli.
Pozitën e këtij të fundit, por si ushtrues detyre tanimë e ka marrë Enver Hoxhaj.