Fjalë Kyçe

Rashkaj e Muriqi optimistë për fitore në Podgoricë

Rashkaj e Muriqi optimistë për fitore në Podgoricë

Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur seancën e dytë përgatitore për dy ndeshjet e radhës kualifikuese për Euro 2020. Ditën e sotme përzgjedhësi Bernard Challandes pas stërvitjes 20 minutëshe, kishte planifikuar që t’i sprovojë futbollistët me një ndeshje prej 3×20 minuta. Për këtë ndeshje Challandes kishte ftuar edhe dy futbollistët e Kombëtares U21, Arbenit Xhemajlin dhe Lirim Kastratin, si dhe dy futbollistët e Superligës, mbrojtësin e Prishtinës, Armend Thaçi dhe sulmuesin e Llapit, Festim Alidema.

Gjatë kësaj ndeshjeje futbollistët shfaqën dëshirë dhe përkushtim në lojë, duke dëshmuar se janë në formë të mirë para përballjes me Malin e Zi, të premten në mbrëmje, në Podgoricë. Në seancën e sotme stërvitore ishin të pranishëm të gjithë futbollistët, me përjashtim të Benjamin Kolollit, i cili ekipit do t’i bashkohet të martën, derisa Anel Rashkaj qëndroi në bankinë për shkak se të dielën ishte i angazhuar me skuadrën e tij në elitën e futbollit suedez. Kombëtarja e mban stërvitjen e radhës nesër në orën 17:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ndërkohë, në konferencën për media u paraqitën Anel Rashkaj dhe Vedat Muriqi, të cilën u shprehën optimistë për duelin me malazezët. “Për mua është kënaqësi që jam sërish pjesë e Kombëtares. Tani në grup janë shumë lojtarë që më parë nuk kanë qenë, por mendoj se kualiteti tani është shumë më i lartë. Shumicën e tyre i njoh, pasi i kam ndjekur të gjitha ndeshjet dhe më kanë pritur shumë mirë. Ekipi është në një seri të mirë. Kundër Bullgarisë munguan vetëm tre pikët sepse loja ishte shumë e mirë. Nëse i marrim parasysh ndeshjet e deritashme duhet të jemi optimistë”, ka theksuar Rashkaj.

Ndërkaq, Muriqi u shpreh këmbëngulës se në dy ndeshjet në udhëtim shkojnë për fitore. “Shumëkush mendon se në këto dy ndeshje na mjafton të marrim edhe barazim, por ne megjithatë shkojmë në këto dy udhëtime për t’i marrë pikët e plota, pasi në grup kemi dy rivalë shumë të fortë si Anglia e Çekia. E kemi një ekip shumë të mirë me futbollistë cilësor, prandaj shpresoj se do t’i arrijmë të marrim pikët e plota”, ka thënë Muriqi.

Në pyetjen e gazetarëve rreth të ardhmes së tij në nivel klubesh dhe nëse kjo mund të ndikojë në paraqitjen e tij te Kombëtarja në dy ndeshjet e radhës, ai është shprehur: “Unë gjithmonë kam thënë se nëse emri yt përflitet në media për interesimin e klubeve të mëdha të atij shteti ku luan apo edhe nga shtete tjera evropiane kjo është diçka shumë e mirë dhe emocionuese. Unë këtë e shoh vetëm si forcë shtytëse për të dhënë maksimumin në Kombëtare”. /Gazeta Alo