Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje në një ceremoni solemne ka pranuar detyrën e të parit të komunës së Podujevës. Në këtë ceremoni solemne Bulliqi ka bërë betimin dhe nënshkrimin e deklaratës për marrjen e detyrës së kryetarit të komunës së Podujevës.
Në mbledhjen e sotme solemne, pjesëmarrës ishin asamblist të komunës së Podujevës. Seanca ka filluar me himnin kombëtar dhe atë shtetëror, teksa Bulliqi u betua që bashkë me kabinetin e tij do të jenë të përgjegjshëm në detyrën dhe përgjegjësinë e dhënë nga qytetarët.
“Unë Shpejtim Nazmi Bulliqi betohem se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtrojë kompetencat e mija si kryetar i komunës së Podujevës me nderë, besnikëri në mënyrë të paanshme me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin. Në mënyrë që të sigurojë kushtet për jetesë më të mirë për të gjithë”, tha gjatë betimit Bulliqi.
Bulliqi deklaroli poashtu se do të punojë me të gjithë llapjanët pa dallim.
“Nuk mund të mos e ndaj me ju emocionin dhe nderin e veçantë që kam teksa u drejtohem juve. Krahas kësaj nuk më mungon as ndjenja e përgjegjësisë nga unë dhe bashkëpunëtorët e mi për qytetarët që presin nga ne dhe na votuan. Besimin që na e dhanë qytetarët ta kthejmë në punë dhe përgjegjësi. Jam jashtëzakonisht i nderuar që pas një procesi demokratik të zgjedhjeve llapjanët më besuan dhe më zgjedhën mua si kryetar të tyre. Komuna e Podujevës do t’i mirëpres dhe do të punojë me të gjithë qytetarët pa dallim”, tha ai.
Bulliqi doli i pari në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 29 nëntor me 51.9% të votave, ku në garë ishte me Nexhmi Rudarin nga LDK dhe Naim Fetahu nga PDK.
Kryetari i ri i Podujevës arriti të fitojë zgjedhjet e jashtëzakonshme, në një prej bastioneve më të mëdha të LDK-së.
Partia e Isa Mustafës udhëhoqi për shumë vite me radhë në Llap, por që kësaj here kandidati i tyre, Nexhmi Rudari nuk arriti drejt fitores.