Xherdan Shaqiri nuk do të largohet nga Liverpoolit të paktën deri në verën e këtij viti, për shkak të gjendjes së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit dhe kriza e lëndimeve në skuadrën e Jurgen Kloppit.
Liverpooli ka vendosur ta mbajë përfaqësuesin shqiptar të Zvicrës, Xherdan Shaqiri, ta paktën deri në verë, raporton Gazeta Express.
Ditë më parë, trajneri Jurgen Klopp, e pranoi se nuk do të ketë prurje të reja në Anfield, për shkak të krizës financiare që e ka shkaktuar COVID-19.
29-vjeçari nga Gjilani ka kaluar nëpër një periudhë të vështirë në dy sezonet e fundit në Anfield, për shkak të lëndimeve të shpeshta, të cilat ia kanë pamundësuar të luajë mjaftueshëm.
Ai i bëri vetëm 11 paraqitje në të gjitha garat për Liverpoolin sezonin e kaluar, ndërsa këtë sezon po e përjeton fatin e njëjtë, sepse i ka bërë vetëm shtatë paraqitje deri tani.
Me ardhjen e Minaminos dhe Diego Jotas në verë, vendi i Shaqirit në skuadrën e Kloppit u rrezikua seriozisht.
Dhe kur sulmuesi shqiptar u la jashtë skuadrës për ndeshjen e kupës kundër Arsenalit në verë, u mendua se ai do të largohej përfundimisht.
Por lëndimet e shpeshta me të cilat po përballet Liverpooli, veçanërisht ai i Jotas – konkurrentit direkt të Shaqirit – dhe gjendja me pandeminë, kanë bërë që të kuqtë të vendosin ta mbajnë 29-vjeçarin deri në verë.
Megjithatë, Shaqiri e ka tejkaluar lëndimin e pulpës tani dhe pritet të jetë në dispozicion të trajnerit gjerman për orarin e ngjeshur të ndeshjeve në muajt në vazhdim.