Fjalë Kyçe

COVAX fillon shpërndarjen e vaksinave anti-COVID në shkurt

COVAX fillon shpërndarjen e vaksinave anti-COVID në shkurt

Aleanca për vaksinat kundër koronavirusit – COVAX në pjesën e parë të këtij viti pritet të sigurojë dozat falas për afro 3 për qind të popullsisë së Kosovës. Në një përgjigje për KOHËN nga kjo aleancë është thënë se gjatë tërë vitit synojnë shpërndarjen e rreth 2 miliardë dozave të vaksinës për shtetet me ekonomi të dobët. Krahas kësaj sasie, Ministria e Shëndetësisë ka treguar se ka nënshkruar marrëveshje me ‘Pfizer’ për sigurimin e 535 mijë dozave të vaksinës
Prishtinë, 8 shkurt – Rreth 50 mijë qytetarë të Kosovës do të mund të marrin vaksinën anti-COVID, nga muaji shkurt. Këtë sasi të vaksinave e ofron falas për shtetet me ekonomi të dobët, përfshirë Kosovën, Aleanca për vaksinat kundër koronavirusit – COVAX.

”Shumica e këtyre dozave do të dorëzohen në pjesën e dytë të vitit. Ne parashikojmë të jemi në gjendje të sigurojmë secilën ekonomi pjesëmarrëse me këstin e parë – mjaftueshëm për të mbrojtur afërsisht 3% të popullsisë – në gjysmën e parë të vitit 2021. Ky proces mund të fillojë që në shkurt në pritje të rezultateve të favorshme rregullatore”, thuhet në përgjigjen e COVAX.

Tutje ata kanë thënë se synojnë që në vitin 2021 të shpërndajnë gjithsej 2 miliardë doza të vaksinës për të gjitha vendet.

“Ne jemi në proces të vlerësimit të kërkesave të vaksinave të ekonomive individuale dhe presim që të jemi në gjendje të japim një azhurnim këtë muaj, ne do t’ju mbajmë të postuar. Qëllimi i deklaruar i COVAX është t’i japë fund fazës akute të pandemisë në mbarë botën duke shpërndarë 2 miliardë doza vaksinash të sigurta dhe efektive, mbi një bazë globale dhe të drejtë deri në fund të vitit 2021”, është thënë në përgjigjen e kësaj aleance për KOHËN.

Aleanca COVAX u krijua në prill të 2020-s, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe ka për qëllim të bashkojë kapacitetet financuese dhe prodhuese për të siguruar një sasi sa më të madhe vaksinash.

Përveç sasisë së premtuar nga COVAX, institucionet e Kosovës kanë treguar se kanë arritur marrëveshje edhe me kompaninë ‘Pfizer’, për sjelljen e 535 mijë dozave të vaksinës anti-COVID, të cilat pritet të arrijnë në Kosovë në muajin shkurt.

KOHA ka pyetur kompaninë ‘Pfizer’ për marrëveshjen e bërë publike nga MSH-ja. Nga kjo kompani të martën është thënë se janë duke punuar me qeveritë e të gjitha vendeve, përfshirë edhe Kosovën.

“Pfizer dhe BioNTech janë të përkushtuar për të sjellë këtë vaksinë për të ndihmuar në përmbushjen e nevojës globale të shëndetit publik. Ne do të punojmë ngushtë me qeveritë përfshirë Kosovën për të siguruar qasje në vaksinë. Nuk kemi asgjë për të njoftuar në kohën e tanishme”, është thënë në përgjigjen e kësaj kompanie, dërguar gjatë së martës.

Tri ditë më vonë, të premten, kjo kompani ka thënë se të gjitha marrëveshjet e arritura për punën e vaksinave antiCOVID, janë konfidenciale, dhe se për Kosovën, pyetjeve duhet t’u përgjigjen zyrtarë të Ministri së Shëndetësisë.

“Më vjen keq që nuk mund të jemi më të dobishëm, por marrëveshjet tona me qeveri të ndryshme janë konfidenciale. Ndoshta do të ishte më së miri të drejtoheshit drejtpërdrejt në Ministrinë e Shëndetësisë të Kosovës”, janë shprehur zyrtarë të kompanisë.

Derisa e paqartë vazhdon të mbetet mënyra se si do të realizohet transporti i kësaj vaksine, meqë ajo duhet të ruhet deri në temperaturën minus 70 gradë. Kreshnik Hoxha, shkencëtar në Angli, ka thënë se Kosova duhet që të ndjekë disa hapa për mënyrën e vaksinimit.

“Do të ishte një investim bosh nëse do të arrinin të sigurohet vaksinat e jo edhe frigoriferët dhe ato vaksina degradojnë dhe nuk mund të përdoren… Sigurimi i fuqisë vaksinuese – d.m.th. duhet të bëjmë çmos që të identifikojmë stafin mjekësor që do të merret nën stop me vaksinimin e popullatës, pastaj vendin se ku do të realizohet vaksinimi”, është shprehur ai.

Tutje Hoxha ka thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë kohën deri sa të vijnë vaksinat për të përgatitur një strategji të detajuar për të shkuar gjithçka në rregull.

“Kosova duhet të punojë drejt asaj se si mund vaksina të shkojë te kjo pjesë e popullatës qoftë nëpër lagje të ndryshme, qoftë nëpër shtëpi të ndryshme të shëndetit në mënyrë që pritja e këtyre grupmoshave të mos jetë e gjatë dhe të sigurohen kushtet e caktuara që duke pritur në radhë personat të mos infektohen”, ka theksuar Hoxha, në një prononcim për KOHËN.

Ministria e Shëndetësisë ka treguar se kanë arritur të sigurojnë edhe 600 mijë vaksina të tjera përmes shtetit të Austrisë, por që nuk janë bërë të ditura detajet dhe se për cilin prodhues të vaksinës bëhet fjalë.