Komisioni Qendror Zgjedhor, ka marrë vendimin për verifikimin e të gjithë votuesve nga diaspora, që aplikojnë për t’u regjistruar si votues në zgjedhjet e 14 shkurtit, në Kosovë. Pro këtij vendimi votoi edhe Sami Kurteshi i VV’së. Nga ana tjetër në Lëvizjen Vetëvendosje nuk e kanë mohuar mundësinë e një ankese në PZAP lidhur me këtë vendim.
“Po unë e kam votuar”, thotë Kurteshi.
Ai ka sqaruar votën e tij.
“Çështja është se vendimi në të vërtetë ka rrjedh nga një këshill i KQZ’së, këshilli për Operacione Zgjedhore. Kjo çështje është ngrit me të drejtë e verifikimit. Janë marrë dy raste: rasti i Istogut më 2017 gjatë zgjedhjeve komunale ku ka pasur përpjekje masive për manipulim të votës, sidomos të votës që vjen nga jashtë. Aty me gjasë kanë qenë vota nga vende të ndryshme, nuk e di dhe çështja tjetër është, krejt procedura e deri tashme. Deri tash është bërë verifikimi me telefon nga një herë, jo gjithmonë, mirëpo deri më tash është bërë eliminimi ose refuzimi i aplikacioneve për votim mirëpo nuk kemi pasur asnjë akt juridik se si bëhet kjo punë. Tash e kemi një vendim dhe vendimi është nxjerr edhe me votën tonë”, tha Kurteshi në Rubikon.