Fjalë Kyçe

Gjykata Speciale nis arrestimet edhe në Shqipëri, ftohet komandanti Adem Shehu

Gjykata Speciale nis arrestimet edhe në Shqipëri, ftohet komandanti Adem Shehu

Hetimet e Prokurorisë Speciale janë shtrirë edhe në Shqipëri. Prokuroria i ka dërguar ftesë për t’u intervistuar Adem Shehut nga Farka e Tiranës, ish-komandant i Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit. Burime të Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri kanë bërë të ditur se Specialja, përmes një letre dërguar më 14 dhjetor 2020, i kërkon asaj që t’i dorëzohet thirrja Shehut për t’u intervistuar në Hagë. Data e parashikuar e intervistimit të tij është 28 janari.

Adem Shehu kërkohet të intervistohet për aktivitetin e tij si komandant dhe luftimet e kryera në zonën Gollakut në rrethinat e Prishtinës. Shehu nuk bëri asnjë koment për mediat, duke theksuar se ai respekton një prej pikave në fletëthirrjen e Hagës për të mos komunikuar me median. Ai ka mbaruar studimet ushtarake në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, në vitin 1980. Në vendlindjen e tij, në Farkë, organizoi stërvitje luftarake të luftëtarëve, të cilët vinin nga Kosova, nga trojet etnike dhe nga vendet perëndimore.

Rudina Jasini, avokate e të Drejtës Ndërkombëtare në Britaninë e Madhe, njëherësh eksperte e ish-Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish Jugosllavi (ICTY), ka bërë të ditur se është e padiskutueshme që do të ketë dëshmitarë për të dëshmuar në sallën e gjyqit, si nga Kosova dhe nga Shqipëria.

“Do të ketë disa lloje dëshmitarësh. Do të ketë edhe dëshmitarë që kanë marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur. Në gjykimet e Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi (ICTY), ku unë kam qenë e pranishme ka pasur dëshmitarë nga Kosova dhe nga Shqipëria. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në Gjykatën Speciale”, thotë Rudina Jasini.

Në vitin 2012, me propozim të Kryeministrisë, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin me nr. 53/2012 “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task-Forcën Hetimore Speciale të EULEX-it ”, në bazë të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të datës 25.1.2011. Miratimi i këtij ligji u ka hapur dritën jeshile hetimeve për llogari të EULEX-it në territorin e Shqipërisë.

Kuvendi i Shqipërisë votoi në një seancë plenare në fillim të dhjetorit të vitit që sapo lamë pas, për krijimin e një komisioni hetimor me synimin e grumbullimit të informacionit mbi hetimet e kryera më herët nga institucione vendëse dhe ndërkombëtare mbi krimet e kryera nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në territorin e Shqipërisë gjatë luftës së zhvilluar dy dekada më parë.

Synimi zyrtar i komisionit është të mbledhë informacion dhe të hartojë një raport për gjetjet e tij. Ai synon gjithashtu të gjejë se çfarë kontributesh kanë dhënë institucionet shqiptare dhe udhëheqësit politikë vendës për raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, i njohur si Raporti i Dick Martyt, i cili ngre dyshime për dhunime të rënda të kryera nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kosovë, si dhe në Shqipëri, ku UÇK-ja kishte baza operimi. Partia Socialiste, sponsorizuese e këtij komisioni, është shprehur e sigurt për mungesën e kampeve të UÇK-së në verilindje të Shqipërisë në kufi me Kosovën, ndonëse pikërisht për këto kampe dhe për dhunën e ushtruar në to ka vendime gjykate të formës së prerë.

Prokurori amerikan në kuadër të EULEX-it, Robert Dean, ka ngritur aktakuzë për krime lufte ndaj Sabit Gecit, Riza Alisë, Haki Hajdarit e Shaban Hoxhës. Geci, Alia, Hajdari e Hoxha u akuzuan për krime lufte kundër popullatës civile të kryera në dy kampe të UÇK-së në Shqipëri, njëri prej tyre në Kukës dhe tjetri në fshatin Cahan. Sipas aktakuzës, Sabit Geci, Riza Alia e Haki Hajdari akuzohen se i mbajtën kosovarët që ikën nga konflikti dhe dyshoheshin për bashkëpunim me regjimin serb ose që kishin pikëpamje të ndryshme politike me ato të UÇK-së.

Ndërkaq, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarë të EULEX-it dhe vendorë në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, pas disa seancave gjyqësore dhe pas dëgjimit të një numri të madh dëshmitarësh të mbrojtur, të cilët janë mbajtur në kampe gjatë luftës në Kukës dhe Cahan, kanë dhënë vendimin. Kështu ish-komandanti i UÇK-së, Sabit Geci, është dënuar me 15 vjet burgim, me 12 vjet është dënuar Riza Aliaj, Haki Hajdari me 6 vjet e Shaban Hoxha me 7 vjet burgim.

Por, një akuzë e tillë për keqtrajtime në Cahan të Hasit e Kukës tashmë ekziston edhe për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

Megjithatë, ekspertja e ish-Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi (ICTY), Rudina Jasini, thotë se Prokuroria Speciale e ka zgjeruar objektivin e përgjegjësisë penale, pavarësisht se disa prej krimeve të ndodhura në burgjet e supozuara si në Kosovë e Shqipëri janë gjykuar nga gjykatat e UNMIK-ut dhe të EULEX-it.

“Në Gjykatën Speciale nuk do të sillet asnjë çështje ashtu siç janë paraqitur në gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it. Në këtë rast, janë marrë disa elemente të veprave penale të pretenduara apo të supozuara dhe është ngritur një çështje tjetër. Pra, Prokuroria Speciale në prerogativën saj e ka zgjeruar objektin e përgjegjësisë penale dhe e ka konturuar në mënyrë të tillë që mendon se mund të përligjë akuzën e ngritur”, deklaroi Jasini, avokate e të Drejtës Ndërkombëtare në Britaninë e Madhe.