Përfaqësuesja e Kosovës rikthehet për të ndjekur ëndrrën që dërgon në Kampionatin Evropian të vitit 2020.
‘Dardanët’ të premten (sot) janë mysafir të Malit të Zi në ndeshjen e vlefshme për grupin A.
Ndeshja mes Malit të Zi dhe Kosovës zhvillohet në ‘Stadion Pod Goricum’, duke filluar nga ora 20:45.
Kjo ndeshje do të luhet pa praninë e tifozëve, me vendasit që kanë të suspenduar stadiumin shkaku i fyerjeve racore kundër Raheem Sterling në sfidën me Anglinë.
Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, në konferencën për shtyp të mbajtur një ditë para lojës, ka theksuar: “Si Kosovë ne jemi të ranguar në vendin e 127 të FIFA-s, kurse Mali i Zi në pozitën e 51-të dhe kjo ndoshta është mënyra më e mirë që e tregon dallimin ndërmjet këtyre dy kombëtareve. Për neve do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por edhe mjaft interesante”.
“Fakti që kjo ndeshje do të luhet pa tifozë dhe kjo nuk është gjë e mirë për futbollin sepse futbolli është spektakël dhe mungesa e tifozëve do të thotë se nuk do të jetë lehtë as për ne dhe as për Malin e Zi. Ata kanë një ekip kompakt, me organizim të mirë dhe me përvojë të madhe”.
“Është shumë i rëndësishëm fakti që Mali i Zi ka luajtur shumë ndeshje, madje në kualifikimet e Botërorit të kaluar ka arkëtuar 16 pikë. Kjo tregon forcën e kësaj kombëtareje”.
Në anën tjetër, sulmuesi Vedat Muriqi, ka thënë se Kosova në Mal të Zi ka udhëtuar vetëm për fitore.
“Ne si ekip kemi besim të madh në cilësitë tona. Kemi lojtarë me nivel të lartë të kualitetit, prandaj jem optimistë se do të korrim fitore. Pa dyshim që nesër do të bëjmë lojë të mirë dhe do ta japim maksimumin tonë. Normalisht e respektojmë kundërshtarin, por besoj në forcën e ekipit tonë”, ka thënë Muriqi.