Talenti kosovar i Koln, Elvis Rexhbecaj ka bërë befasinë me një deklaratë për median gjermane, Kicker, duke thënë se ka ëndërr të luajë me Gjermaninë në Olimpiadë.
Rexhbecaj ka të drejtë që të përfaqësojë “Dardanët” në rast që do, mirëpo deklarata e tij e fundit ka vënë dyshime, shkruan lajmi.net.
“Do më bënte krenar dhe do më jepte motivim shtesë. Do ishte ëndërr të luaja për Gjermaninë në Olimpiadë”, u shpreh ai për Kicker.
Lidhur me këtë çështje, presidenti i FFK-së, Agim Ademi është kontaktuar nga lajmi.net, lidhur me qëndrimin e FFK-së ndaj lojtarit dhe për deklaratën e lojtarit.
Ademi zbuloi se ka kontakte me Elvisin dhe babin e tij, si dhe i ka dërguar ofertën e Kosovës, por ende s’ka marrë ndonjë përgjigje pozitive ose negative.
“Jo nuk e kam parë deklaratën. Ne vazhdojmë të kemi kontakt me Elvisin dhe babin e tij. I kemi dërguar ofertën tonë, por ende s’ka kthyer përgjigje as negative ose pozitive. Vendimi do t’i takojë atij, nëse dëshiron të përfaqësojë Kosovën është i mirëpritur”, deklaroi i pari i FFK-së për lajmi.net.
Vendimi kryesor do t’i takojë kosovarit dhe mbetet të shihet në muajin e ardhshëm se cilën Kombëtare do ta zgjedhë./E.Bytyqi./