Fjalë Kyçe

Vendi i Ambasadës, “varet” nga Izraeli

Vendi i Ambasadës, “varet” nga Izraeli

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti paralajmëroi se do ta shqyrtojë çështjen se në cilin qytet, Tel Aviv apo Jerusalem do të vendoset Ambasada e Kosovës në Izrael, duke thënë se për këtë gjë do të shohin “edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”.

Sipas një njoftimi të Vetëvendosjes, këtë deklaratë Kurti e bëri më 1 mars, gjatë takimit me ambasadorin turk në Prishtinë, Çaëri Sakar. Megjithatë, Kurti ka thënë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit është e rëndësishme dhe “mundësi e mirë për zhvillim”.

Por, sipas të drejtës diplomatike dhe konsullore, në kuadër të standardit të së drejtës ndërkombëtare publike, përcaktimi i lokacioneve të përfaqësive të huaja diplomatike, është e drejtë ekskluzive kushtetuese dhe sovrane e shtetit që i pranon ato përfaqësi, thotë Enver Hasani, profesor i të Drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.

Sipas tij, në këtë rast as Kosova, si vend që pritet të dërgojë përfaqësinë diplomatike në Izrael, nuk e ka të drejtën për të përcaktuar lokacionin apo vendndodhjen e përfaqësisë së saj diplomatike në këtë vend.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, në bazë të rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk është deklaruar zyrtarisht nëse do ta hapë Ambasadën e Kosovës në Jerusalem, pasi të formojë qeverinë e re të vendit.

Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump. Dokumenti i nënshkruar nga Kosova, parasheh njohjen e ndërsjellë me Izraelin. Ndërkaq, në rastin e Serbisë, zhvendosjen e Ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Antony Blinken, Sekretar amerikan i Shtetit, më 19 janar, para se të merrte detyrën aktuale, pati deklaruar që e duartroket “punën që është bërë për Kosovën dhe Serbinë”, nga administrata e presidentit Donald Trump.

Më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, formalizuan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi atë ditë ka deklaruar se ka miratuar kërkesën e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla që Kosova të hapë ambasadën në Jerusalem.

Bashkimi Evropian, më 2 shkurt të vitit 2021, ka shprehur keqardhje për vendimin e Kosovës që të hapë Ambasadën e saj në Jerusalem, qytet të cilin BE-ja e konsideron me status të pazgjidhur.

Në shtatorin e kaluar, edhe Ambasada turke në Prishtinë, sipas një njoftimi të bërë në rrjetin social Facebook, tha se Turqia ka kundërshtuar hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Po ashtu, edhe Parlamenti arab, që është organi legjislativ i Ligës Arabe, ka dënuar “njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit nga Kosova”.

Hasani: Lokacionin për Ambasadë e cakton pala mikpritëse

Profesori i të Drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, thotë për Radion Evropa e Lirë se në raportet Kosovë dhe Izrael, ka pasur dy akte. E para, sipas tij, më 4 shtator në Uashington, Kosova ka nënshkruar zotimin, që paraqet njohjen ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Izraelit dhe akti i dytë, siç thotë ai, është themelimi i marrëdhënieve diplomatike, në aspektin formal, ndërmjet dy shteteve.

“Në marrëveshje për themelimin e marrëdhënieve diplomatike, palët nuk mund t’i diktojnë njëra-tjetrës lokacionet se ku mund të jenë ambasadat, përkatësisht, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore. Kjo për shkak se atë e përcakton shteti i pranimit, shteti mikpritës, në këtë rast, Izraeli. Çdo shmangie nga ky rregull, nënkupton devijim të politikës bilaterale me Izraelin dhe orientim të Kosovës me vendet e Lindjes së Mesme që kanë orientim islamik”, theksoi Hasani.

Kurti, ndërmjet “dy zjarreve”

Pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, Albin Kurit, i cili është kandidat për kryeministër të vendit, ka marrë letra urimi nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Përderisa Netanyahu i ka shkruar Kurtit se e mirëpret në Izrael “për të inauguruar Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem”, në anën tjetër, Erdogan ka porositur Kurtin që “do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, i cili mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”.

Izraeli e ka njohur Kosovën, pas nënshkrimit të palës së Kosovës të dokumentit me zotime, më 4 shtator në Uashington. Kosova dhe Serbia, sipas zotimeve të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë, ambasadat e tyre duhet t’i hapin në Jerusalem. Përderisa Kosova ende nuk ka përfaqësi diplomatike në Izrael, Serbia e ka Ambasadën e saj në Tel Aviv.

Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU