Zinedine Zidane e ka pranuar se Liverpool është një ekip i vështirë për t’u mposhtur.
Sipas tij, skuadra angleze është e fortë fizikisht, çfarë nënkupton se Reali duhet të jetë i kujdesshëm në këtë aspekt, njofton Klan Kosova.
Por, para se të ndeshet me kampionin e Anglisë, francezi tha se Los Blancos kanë punë tjera për të bërë.
“Do të jetë një ndeshje shumë kërkuese për t’u zhvilluar ndaj Liverpool, në aspektin fizik. Por, ne e dimë se cilat janë vështirësitë në këtë nivel të garave”, ka thënë Zidane në një konferencë shtypi, të premten.
“Megjithatë, ndeshja me Liverpool është diçka për çfarë ne do të mendojmë tek pas pushimit që vjen për shkak të ndeshjeve të kombëtareve”.
Real të shtunën luan kundër Celta Vigos, në kuadër të La Ligas, ndërsa pason pushimi i kampionateve evropiane për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve.
Mbretërit kthehen në aksion në La Liga më 3 prill, kundër Eibarit, për t’u përballur tri ditë më pas me Liverpoolin, në Madrid për garat e Ligës së Kampionëve.
Dy ekipet ishin përballur në finale e Champions më 2018. Reali pati fituar 3 me 1.
Ndeshja mbahet mend për duelin e shumëpërfolur Ramos-Salah, që përfundoi me lëndimin dhe largimin nga loja të këtij të fundit.
Pastaj, gjithçka tjetër ishte e lehtë për ekipin e Zidane, që u bë kampion i kampionëve të Evropës për të 13-ën herë në histori.