Dardanët sot e nisin ndeshjen e parë në kuadër të ciklit kualifikues për Botërorin “Katar 2022”.
Kombëtarja e Kosovës sot e pret atë të Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë për ndeshjen e cila fillon nga ora 20:45, njofton Klan Kosova.
Të dy skuadrat gjatë ditës së djeshme i kanë mbajtur stërvitjet e fundit në stadiumin e kryeqytetit.
Nga ana e Dardanëve mungoi mesfushori Valon Berisha, i cili për shkak të lëndimit, nuk do të mund të jetë prezent edhe në duelin e sotëm me suedezët.
Përveç tij në dispozicion nuk do të jetë as mbrojtësi Ibrahim Dreseviq për shkak të ndëshkimit me karton të kuq.
Andaj, përzgjedhësi i Kosovës Bernard Challandes, në konferencën për media që ka zhvilluar dje, ka kërkuar kujdes maksimal nga djelmoshat dardanë – sidomos në repartin e mbrojtjes.
Madje, ai e ka vlerësuar skuadrën suedeze lartë, duke e futur atë në mesin e 20 ekipeve më të mira në botë.
“Do të luajmë ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Mendoj që Suedia është ndër ekipet më të mira në botë. Për të arritur diçka në këtë përballje duhet të kemi një paraqitje shumë të mirë. Kemi probleme me lëndime dhe kjo e bën edhe më të vështirë”, ka thënë Challandes.
Kujtojmë se Kosova gjendet në grupin B, ku përveç Suedisë, do të përballet edhe me Spanjën pas tre ditëve, Greqinë dhe Gjeorgjinë në muajin qershor.