Fjalë Kyçe

Challandes: Kemi përballë ekipin më të mirë në botë, mundësi për të treguar progresin tonë

Challandes: Kemi përballë ekipin më të mirë në botë, mundësi për të treguar progresin tonë

Seleksionuesi i Kosovës, Bernard Challandes, vlerësoi se është nder të luhet kundër Spanjës.

Ai në konferencën e mbajtur të martën, një ditë para ndeshjes eliminatore kundër Spanjës në Sevilla, tha se përballë Kosovës do të jetë ekipi më i mirë në botë.

Kjo është ndeshja e dytë eliminatore për Botërorin “Katari 2022” për Kosovën.

“Pas humbjes nga Suedia nuk është e lehtë të vijmë këtu në Spanjë dhe të përgatitemi për këtë ndeshje. Por, është nder dhe kënaqësi të luajmë kundër ekipit më të mirë në botë. Jemi munduar të përgatitemi sa më mirë dhe jemi të gatshëm”, tha Challandes.

Me gjithë humbjen e thellë ndaj Suedisë ditë më parë në Prishtinë (0:3), Challandes vlerëson se kundër Spanjës është mundësi të tregohet puna e mirë që është bërë në ekipin “dardan”.

“Unë menaxhoj një ekip të mirë, ekip më lojtarë shumë të motivuar. Jemi shtet i ri i futbollit dhe duhet të përparojmë, duhet të marrim çdo ndeshje një nga një. Në veçanti ndeshja kundër Spanjës është mundësi për ta treguar progresin e ekipit që është bërë në mënyrë konstante dhe gjatë kësaj periudhe”, ka thënë ai. “Mbase nuk më takon muaj për vendimet dhe ndryshimet që i bën Luis Enrique sepse është shumë i famshëm për punën e tij. E di që ndoshta njerëzit nuk mund të jenë të kënaqur me rezultatet e fundit të Spanjës, por nëse shikoni ndeshjet mund ta kuptoni sa mirë ka luajtur Spanja. Problemi im aktual nuk është se çfarë duhet të ndryshoj ekipi por çfarë na duhet ne për tu përballur me një ekip të fortë si Spanja”, ka shtuar Challandes.

Trajneri zviceran ka refuzuar të flasë për çështje politike, si për deklaratat e fundit nga Qeveria spanjolle se nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës. Po ashtu ka paralajmëruar ndeshje më pak të hapur nga ana e Kosovës.

“Nuk flas për çështjet politike, puna ime është trajner i futbollit dhe duhet të gjejë zgjidhje për ndeshjen me Spanjën dhe të përgatiti ekipin tim në mënyrën më të mirë të mundshme. Mua më pëlqen të luajë futboll, Kosovës i pëlqen të mbajë topin, por ndaj Spanjës nuk do të jetë aspak e lehtë. Duhet të gjejmë zgjidhje për ta ndalur Spanjën. Loja ofensive është dëshira jonë, por duhet edhe të mbrohemi në disa situata dhe të ruajmë portën tonë. Njëkohësisht, të kërkojmë mënyrën për të shënuar gola.

Ndërkohë, mesfushori Hekuran Kryeziu, ka thënë se ai dhe të tjerët që do të luajnë do të mundohen të japin më të mirën kundër spanjollëve.

“Ka qenë një ndeshje e vështirë me Suedinë, ne e kemi analizuar atë ndeshje dhe jemi të gatshëm për Spanjën. Është kënaqësi të luajmë kundër Spanjës dhe mendoj se jemi të gatshëm dhe të fokusuar të përballemi me ekipin më të mirë në botë. Do të mundohemi të japim më të mirën nga kjo ndeshje”, ka thënë Kryeziu.