Fjalë Kyçe

Përgjegjësitë e gazetarëve si ‘gardianë të së vërtetës’

Përgjegjësitë e gazetarëve si ‘gardianë të së vërtetës’

Gardianët e së vërtetës apo “gatekeepers” është procesi në të cilin storiet e lajmeve filtrohen nga gazetarët dhe redaktorët për publikim në një medium.

Ky proces bëhet sa herë që një bloger dëshiron ta postojë një storie në ballinën e uebfaqes, një redaktor lajmesh vendos ta mbulojë një ngjarje dhe jo një tjetër, ose kur një gazetar zgjedh një burim për ta intervistuar për një artikull.

Funksioni i “gatekeeping” ka ndryshuar me evoluimin e epokës digjitale.

Derisa interneti ka ndryshuar krejtësisht mënyrën se si ne lexojmë lajmet – gjithnjë e më shumë në uebsajte dhe pajisje digjitale dhe më pak në formë të shtypur si dikur – parimet e “gatekeeping” aplikohen akoma.

Gjykimi i lajmeve

Në një studim të vitit 2006 të botuar në “Gazetaria & Komunikimi Masiv”, profesoresha e gazetarisë në Universitetin e Iowas, Jane B. Singer, shkroi se përhapja e informacionit në internet e ka zvogëluar fuqinë e “gardianit të së vërtetës” (gatekeeper), por gazetarët megjithatë mund të luajnë një rol në klasifikimin, interpretimin dhe rritjen e kredibilitetit të lajmit që e publikojnë.

Gazetarët zgjedhin se cilat ngjarje duhet t’i mbulojnë dhe nga cilat duhet të heqin dorë duke u përpjekur të përcaktojnë vlefshmërinë e përgjithshme të një problemi.

Një studim i vitit 2012 i “Journal of Politics” thekson se janë një numër faktorësh që bëjnë pjesë në procesin e vendimmarrjes, duke përfshirë interesat dhe nevojat e audiencës.

Ky studim vuri gjithashtu në dukje tendencat e përmbajtjes së lajmeve që vlerësojnë historitë senzacionale dhe të pazakonta, bashkë me ato që fokusohen në çështje konfliktuale.

Verifikimi i fakteve

Duke e përshkruar evoluimin e rolit të gazetarëve, redaktori i Digital First Media, Steve Buttry, ka argumentuar se gazetarët nuk funksionojnë më si gardianët kryesorë të së vërtetës, sepse sipas tij “portat e informacionit” janë hapur krejtësisht nga përhapja e informacionit digjital.

Megjithatë, Buttry ka thënë se gazetarët e kanë rolin kryesor si ‘roje vëzhguese’ të atyre që janë në pushtet, duke qenë hulumtues dhe kërkues të së vërtetës.

Një artikull i publikuar në vitin 2011 në “Lexime Bashkëkohore në Ligj dhe Drejtësi Sociale” përforcoi rëndësinë e kërkimit të fakteve në gazetarinë bashkëkohore. Në një shoqëri ku informacioni – dhe dezinformatat – shpërndahet lehtësisht, gazetarët mund të luajnë rolin e verifikuesve të fakteve.

Lajmet që janë të besueshme mbështeten në raporte të drejtpërdrejta dhe nuk bazohen në supozime dhe gjykime, sipas hulumtimit të George Lazaroiu që është autori i artikullit të revistës.

Verifikimi i burimeve

Nëse dikur ishin redaktorët më të mirë të gazetave ose producentët e lajmeve televizive që kryesisht kanë ndikuar në konsumin e lajmeve për publikun sot informacioni rrjedh si përroi jashtë kanaleve kryesore.

Verifikimi i burimeve autentike është një tjetër përgjegjësi kyçe e gazetarëve, sipas Qendrës për Etikën e Gazetarisë në Universitetin e Wisconsin-Madison.

Duke i përzgjedhur ekspertët për t’i intervistuar ose duke kërkuar të dhënat më të rëndësishme, një gazetar rrit cilësinë e një raportimi dhe mbështet standardet etike të “gatekeeping”.

Grumbullimi

Në mediat moderne disa gazetarë nuk po raportojnë më materiale origjinale, por më shumë po mbledhin raporte të jashtme për të kuruar titujt kryesorë të ditës për ripublikim. Ky proces njihet si grumbullim (agregim).

Një studim në “Journal of Mass Media Ethics” thekson se edhe procesi i grumbullimit përdor procesin e “gatekeeping” pasi artikujt të caktuar zgjedhen, derisa të tjerë lihen anash.

***

Përkthyer dhe përshtatur nga Klan Kosova.

Artikulli origjinal është publikuar në uebfaqen Chron që përmban artikuj që ndërlidhen me përzgjedhjen e karrierës dhe këshilla të tjera biznesore.