Është mbyllur 1-1 koha e rregullt mes Zvicrës dhe Spanjës dhe ndeshja tani do të shkojë në vazhdime.
90 minuta nuk kanë mjaftuar që të mësohet gjysmëfinalisti i parë në Kampionatin Evropian “Euro 2020” dhe kështu, Zvicra dhe Spanja do të kërkojnë biletën në 30 minuta vazhdime, apo pas penalltive, raporton Gazeta Express.
Pjesën e parë dominoi më shumë Spanja dhe kështu e gjeti golin e epërsisë në minutën e tetë, që u shënua si autogol pas devijimit të Zakarias. 1-0 për Spanjën u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë Zvicra u duk krejt tjetër skuadër dhe pas një loje të bukur dhe disa tentimeve, e gjetën golin e barazimit, shënoi për 1-1 Xherdan Shaqiri për 1-1 në minutën e 68’.
Pak minuta më vonë, në atë të 78’ Zvicra mbeti me një lojtar më pak në fushë, Remo Freuler ndërhyri ashpër në Gerrard Moreno, duke u përjashtuar direkt me të kuq.
Sikur nuk i mjaftoi kjo Zvicrës që pak më vonë, mbeti edhe pa Xherdan Shaqirin, i cili u zëvendësua shkaku i disa shqetësimeve në gjurin e djathtë.
Tani do të luhen 30 minuta vazhdime dhe nëse s’do të ketë fitues, atëherë ashtu si kundër Francës, Zvicra do të kërkojë të vazhdojë të shkruajë historinë edhe kundër Spanjës përmes penalltive.