Fjalë Kyçe

NASA: Planetët endacakë më të shumtë nga sa pritej

NASA: Planetët endacakë më të shumtë nga sa pritej

Planetët endacakë, që enden në hapësirë ​​pa një yll referimi, janë më të shumtë nga sa pritej, sipas të dhënave më të fundit nga teleskopi hapësinor Kepler, gjuetari i NASA-s për botët aliene.

Analiza e sasisë të stërmadhe të të dhënave që teleskopi ka dërguar në Tokë gjatë jetës së tij funksionale, para se “të dilte në pension” në 2018, ka bërë të mundur zbulimin e katër planetëve të tjerë endacakë, me një masë të ngjashme me atë të Tokës, tregon studimi i botuar në Monthly Notices of the Royal Astronomical Society nga grupi i Universitetit britanik të Mançesterit i koordinuar nga Iain McDonald.

Të dhënat u mblodhën nga Kepler në 2016, gjatë një fushate dymujore vëzhgimi për të monitoruar një rajon afër qendrës së Rrugës së Qumështit, i mbushur me miliona yje.

“Sinjalet nga këta planetë endacakë janë jashtëzakonisht të vështira për t’u gjetur”, vëren McDonald.

Për ta bërë këtë, astronomët përshtatën aftësitë e teleskopit Kepler për të shfrytëzuar një efekt zmadhues të parashikuar nga teoria e relativitetit të përgjithshëm të Ajnshtajnit, i ashtuquajturi efekt i mikrolentizimit, që ndodh kur një planet kalon vijën e shikimit që lidh një vëzhgues dhe një yll në sfond.

Drita e yllit shfaqet përkohësisht më e ndritshme, me një rritje të shkëlqimit që mund të zgjasë nga disa orë në disa ditë.

Hipoteza e studiuesve është se këta planetë endacakë u formuan rreth një ylli mëmë dhe më pas u dëbuan nga tërheqja gravitacionale prej planetëve të tjerë më të rënda brenda të njëjtit sistem planetar.