Nesër përballen Polonia dhe Shqipëria. Kombëtarja e Polonisë dhe ajo e Shqipërisë do të ballafaqohen nesër nga ora 20:45 në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës. Kapiteni i Shqipërisë, Etrit Berisha ka folur në konferencë shtypi para ndeshjes.
“Polonia është një ekip i mirë edhe pse ka disa lojtarë që nuk janë të thirrur për momentin, për shkak të lëndimeve. Për ne e rëndësishme është të paraqitemi mirë si skuadër dhe nuk ka rëndësi se kush do të luajë. Polonia ka shumë lojtarë cilësorë dhe yje botërorë si Lewandovski, mirëpo ne jemi mësuar që çdo javë të kemi lojtarë të rrezikshëm dhe shpresoj se nesër si skuadër të bëjmë diferencën dhe t’i ndalojmë sulmet e tyre.
Gjëja e parë është që ndeshja të përgatitet në mënyrën më të mirë dhe ato gjëra që i thotë trajneri t’i bëjmë edhe në fushë, pasi jemi duke u përgatitur shumë mirë për ndeshjen. Po i bëjmë edhe gjërat e fundit taktike dhe që nesër të jemi gati për të zhvilluar një ndeshje, që për ne do të thotë shumë nëse marrim një rezultat pozitiv.
Si e presim kundërshtarin? E thashë edhe më herët që Polonia është një skuadër shumë cilësore, pa marrë parasysh ndeshjet e fundit që i ka munguar rezultati, mirëpo ne duhet të jemi shumë kompaktë dhe duhet të bëjmë gjërat që na ka thënë trajneri dhe do mundohemi t’i zbatojmë në mënyrën më të mirë, për të marrë një rezultat. Do mundohemi t’i shfrytëzojmë edhe gabimet e ekipit kundërshtar. Për ne, Polonia mbetet gjithmonë një ekip i fortë. Dimë që në shtëpi Polonia nuk ka humbur për një kohë të gjatë.
Di të them që çdo ditë është një ditë e re dhe mundësitë gjithmonë janë të reja. Kemi mundësi ta surprizojmë Poloninë, vetëm duhet të kemi vetëbesim së pari dhe pastaj gjërat e tjera t’i bëjmë me përpikmëri. Besoj se raste do kemi dhe shpresoj shumë të bëjmë një rezultat pozitiv. Po fituam nesër, do të na japë një forcë shumë të madhe për të vazhduar ndeshjet e radhës, pasi kemi një grup të mirë dhe besoj se mund ta bëjmë një surprizë, siç kemi bërë edhe më herët.