Fjalë Kyçe

Profesori nga SHBA, Herb Amato, ligjëroi në seminarin për Shëndetin e Integruar dhe Performancën Sportive

Profesori nga SHBA, Herb Amato, ligjëroi në seminarin për Shëndetin e Integruar dhe Performancën Sportive

Komiteti Olimpik i Kosovës ka organizuar sot seminarin për Shëndetin e Integruar dhe Performancën Sportive, e cila u mbajt në Hotel Sirius në Prishtinë.

Ligjërues ishte profesori nga Universiteti James Madison në SHBA, Herb Amato.

Seminarin disa orësh e vijuan dhjetëra drejtues të lartë të federatave, trajnerë, mjekë sportiv etj.

Profesori Amato ndau përvojat e tij me vijuesit e seminarit, derisa iu përgjigj edhe pyetjeve të të pranishmëve.

“Punimet që do të shihni nuk janë të punuara vetëm nga unë, por nga shumë njohës. Ato që do të shihni janë punime se si integrohet shëndeti në performancën sportive. Pika kyqe e suksesit është komunikimi”, tha ndër të tjera profesori Amato, i cili ndodhet shpesh në Kosovë, pasi është edhe anëtar i Agjencisë për Akreditimin e Universiteteve në Kosovë.

Amato, vite më parë ka punuar edhe si trajner atletik me shumë sportistë, kryesisht të bejzbollit, si dhe olimpistë të SHBA-ve.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, vlerësoi lart profesorin Amato, për të cilin tha se është dëshmuar edhe me sportistë elitarë.

“Trajneri me kualifikm të mirë ua mëson sportistëve shkathtësitë e trajnimit konficional, si dhe trajnimin tekniko taktik. Për performancën e tyre duhet edhe ndihma e shkencës. Bashkë me profesor Amaton do ta shohim se sa është i nevojshëm aplikimi i shkencës në sport”, tha ndër të tjera presidenti Hasani.

Për “Instrumentet e Matjes së Performancës” në Kolegjin Universi ligjëroi profesori Abedin Bahtiri, sipas të cilit mungon interesimi i testeve të tilla të bëra nga klubet në Kosovë.
Seminari vazhdoi edhe në formatin e panelit, ku për gjendjen e mjekësisë sportive folën: Besin Hasani, president i KOK-ut, Musa Selimi, dekan i Fakultetit të Kulturës Fizike, Ramë Myftaraj, mjek i karatesë dhe anëtar i Komisionit për Anti Doping në Federatën e Futbollit të Kosovës, Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, si dhe Fitim Arifi, menaxher për sport në Departamentin e Sporit pranë Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport. /Gazeta Alo