Luhet sonte raundi i gjashtë dhe i fundit i ndeshjeve në gjysmën e grupeve të Champions League, që do të përcaktohen përfundimisht 8 skuadrat që kualifikohen në fazën tjetër dhe 4 të tjera që do ta vijojnë rrugëtimin në Europa League.
Në Grupin A gjithçka është përcaktuar, Atletico Madrit dhe Dortmundi janë kualifikuar, ndërsa Club Brugge ka siguruar vendin e tretë, ndaj dy ndeshjet e fundit Brugge – Atletico Madrid dhe Monaco – Dortmund kanë vlerë vetëm për të parë se cila skuadër do ta mbyllë këtë fazë në vendin e parë.
Në Grupin B, ku Barcelona tashmë e ka siguruar vendin e parë, Interi dhe Tottenhami luftojnë për vendin e dytë. “Zikaltrit” janë të favorizuar pasi presin PSV-në, ndërsa Spurs-at luajnë në fushën e Barcelonës. Nëse londinezët fitojnë në “Camp Nou”, e kanë të sigurt vendin e dytë, por nëse barazojnë, avancojnë vetëm nëse nuk fiton Interi.
Në Grupin C situata është shumë e komplikuar. PSG, që aktualisht mban vendin e tretë, e ka të sigurt kualifikimin me fitoren e mundshme në fushën e Crvena Zvezdas, ndërsa në përballje tjetër, Liverpool – Napoli, fitorja e “të kuqve” nxjerr jashtë loje skuadrën e Ancelottit, sigurisht duke presupozuar se Parisi do të fitojë në Beograd, transmeton SS.
Në Grupin D (luhen Galatasaray-Porto dhe Schalke -Lokomotiva e Moskës) nuk ka dilema për kreun, Porto dhe Schalke ndajnë vendin e parë dhe të dytë, ndërsa Galatasaray dhe Lokomotiva e Moskës, që ndahen nga vetëm vetëm një pikë, luftojnë për vendin e tretë.