Kur rregullatorët rusë miratuan vaksinën kundër koronavirusit, ishte një moment krenarie kombëtare dhe familja Pavlov ishte ndër ata që nxituan për t’u vaksinuar. Por autoritetet ndërkombëtare shëndetësore nuk e kanë dhënë ende bekimin e tyre ndaj vaksinës Sputnik V.
Kështu që kur familja nga Rostov-on-Don donte të vizitonte Perëndimin, ata kërkuan një vaksinë që do t’i lejonte ata të udhëtonin lirshëm – një kërkim që i solli ata në Serbi, ku qindra qytetarë rusë janë dyndur javët e fundit për të marrë vaksinat e aprovuara nga Perëndimi.
Serbia, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, është një zgjedhje e përshtatshme për rusët që kërkojnë vaksina sepse ata mund të hyjnë në vendin ballkanik pa viza dhe sepse ofron zgjedhje të gjerë të dozave të prodhuara nga Perëndimi. Udhëtimet e organizuara për rusët janë rritur dhe ata mund të shihen në kryeqytet, Beograd, në hotele, restorante, bare dhe klinika vaksinimi, raporton AP.
“Ne morëm vaksinën Pfizer sepse duam të udhëtojmë nëpër botë,” tha Nadezhda Pavlova, 54 vjeç, pasi mori vaksinën fundjavën e kaluar në një qendër të gjerë vaksinimi në Beograd.
Burri i saj, Vitaly Pavlov, 55 vjeç, tha se ai donte që “e gjithë bota të ishte e hapur për ne dhe jo vetëm disa vende”.
I lavdëruar nga Presidenti rus Vladimir Putin si vaksina e parë e regjistruar në botë kundër COVID-19, Sputnik V u shfaq në gusht 2020 dhe është miratuar në rreth 70 vende, përfshirë Serbinë. Por OBSH ka thënë se miratimi global është ende në shqyrtim pasi përmendi çështje në një fabrikë prodhimi disa muaj më parë.
Pritja e gjatë ka frustruar shumë rusë, kështu që kur OBSH njoftoi një vonesë tjetër në shtator, ata filluan të kërkojnë zgjidhje diku tjetër.