Shaqiri ishte duke folur për televizionin publik zviceran kur papritmas u shfaq një tifoz dhe ia vuri mbi shpatulla xhaketën e cila kishte simbole të dukshme të UÇK-së. 30-vjeçari qëndroi i qetë dhe duke buzëqeshur e largoi nga supet menjëherë xhaketën.
Në një reagim një ditë pas fitores së kombëtares helvetike në kualifikime për Kupën e Botës, SFV-ja e dënoi si të papranueshme veprimin e tifozit dhe e lartësoi Shaqirin.
Shaqiri i lindur në Gjilan i ka bërë 97 paraqitje për Zvicrën në të gjitha garat, duke kontribuuar me 26 gola. Ai është golashënuesi më i mirë në historinë e Zvicrës në turne të mëdha (Botëror e Evropian) me 7 gola.
“Është e papranueshme që njerëzit duan t’i keqpërdorin stadiumet e futbollit dhe në këtë rast intervistën e një futbollisti pas ndeshjes për propagandë politike”, thuhet në reagimin e SFV-së.
“Xherdan Shaqiri reagoi në mënyrë shembullore, qëndroi i qetë dhe nuk iu kundërvë”, thuhet tutje në reagim.
Veprimi i tifozit të shtunën shkaktoi shumë polemika në Zvicër dhe i bëri mediat serbe të reagojnë duke kërkuar dënim nga UEFA për federatën zvicerane
Shaqiri u rikthye në Kombëtaren e Zvicrës dhe luajti 90 minuta në fitoren 2:0 ndaj Irlandës Veriore, pasi kishte munguar në tri ndeshjet e shtatorit. /Gazeta Express