Jo shumë biznese nga Kosova arritën që përmes lehtësirave që krijoi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) të depërtojnë në tregun e gjerë të Bashkimit Evropian.
Afaristë nga Kosova thonë se konkurrimi i produkteve nga Kosova me produktet e shteteve të zhvilluara, nuk është proces i lehtë.
MSA-ja, si marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016. Kjo marrëveshje u hapi rrugë bizneseve të Kosovës, në veçanti atyre prodhuese për pjesëmarrje aktive në tregun prej 500 milionë banorësh.
Disa nga bizneset prodhuese në Kosovë, të cilat veçse ishin të pranishme në tregun evropian edhe para nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje arritën të zgjerohen edhe në tregjet e vendeve tjera të Bashkimit Evropian, e disa vazhdojnë të ruajnë vetëm tregjet që i kishin para MSA-së.
Teuta Kurshumlija, menaxhere e shitjes në kompaninë ‘Stone Castle’ në Rahovec, kompani kjo e cila merret me prodhimin e rrushit dhe pijeve alkoolike, thotë për Radion Evropa e Lirë se MSA-ja nuk ka pasur ndonjë efekt të madh në shtrirjen e tyre në tregjet evropiane.
Ajo tregon për një konkurrencë të madhe në tregun evropian dhe vështirësitë e depërtimit në këtë treg.
“Ne kemi eksportuar në tregun e BE-së edhe para MSA-së, si në Kroaci, Zvicër dhe Gjermani, po ashtu në tregun e Anglisë kemi qenë në një kohë, eksportojmë edhe në Norvegji dhe jemi në diskutim e sipër për në Finlandë. MSA-ja nuk është se ka pasur ndonjë efekt në rritjen e eksportit. Bashkimi Evropian do të duhej të ndihmonte Kosovën në promovimin e produkteve në emër të Kosovës, pasi që si Kosovë, nuk jemi të njohur aq shumë për prodhim, duhet një kampanjë më e madhe”.
“Është e panjohur për të gjithë që Kosova prodhon verë dhe puna e parë që ne duhet të bëjmë si kompani, duhet t’u tregojmë traditën që ne e kemi në përpunimin e rrushit dhe të prodhimit të verës. Konkurrenca është jashtëzakonisht e madhe dhe e fuqishme në tregun evropian. Kompanitë prodhuese të këtyre shteteve e kanë mbështetjen e madhe të shtetit sa i përket subvencioneve për atë edhe janë më konkurrente, ndërsa ne si kompani, nuk e kemi këtë mbështetje”, thotë ajo.
Shaqir Palushi, pronari i kompanisë përprodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, “Frutex”, thotë për Radion Evropa e Lirë se MSA-ja është një marrëveshje, e cila mundësoi më lehtë shtrirjen e produkteve nga Kosova në tregun evropian.
Konkurrenca në tregun evropian, shton Palushi, është mjaft e madhe dhe është një sfidë për prodhuesit nga Kosova, por, që sipas tij, janë edhe qytetarët e Kosovës që jetojnë në këto vende dhe që i blejnë produktet “Made in Kosova”.
“Kompania jonë, edhe para hyrjes në fuqi të MSA-së ka pasur një eksport të theksuar në tregun evropian, por me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje janë krijuar kushtet dhe mundësitë lehtësuese për të eksportuar në një treg prej 500 milionë banorësh, pra MSA-ja është derë hyrëse. Me produktet tona jemi në shumë vende si në Slloveni, Zvicër, Belgjikë, Britani të Madhe e në shumë vende tjera, ndërsa me hyrjen në MSA ne kemi arritur të depërtojmë edhe në Francë dhe Hungari”, thotë Palushi.
Sa i përket lehtësirave Palushi shton se më lehtë është të depërtosh në tregun evropian sesa në atë rajonal.
“Ne nuk mund të themi se jemi shumë të kënaqur me shtrirjen tonë apo shitjen në tregun evropian pasi që shohim një potencial të madh në tregun evropian dhe një konkurrencë të fuqishme me kompani të konsoliduara mirë, por procedurat janë më të lehta për hyrje në BE, nuk ka burokraci. Më lehtë është të depërtosh me një produkt në vendet e bashkimit Evropian sesa në Maqedoni, Mal të Zi apo në Serbi”, thotë ai.
Prodhuesit në Kosovë në vazhdimësi kanë theksuar se përballen me problem të shumta si tatimet e larta mbi vlerën e shtuar, ekonomia joligjore, financimi i vështirë për bizneset, normat e larta të interesit, jostabiliteti me energji elektrike, konkurrenca jo e barabartë.
Kosova vazhdon të ketë një industri jo konkurruese të prodhimit. Deficiti i lartë tregtar përbën një sfidë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës.
Kontributi i eksporteve në volumin tregtar, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vit kap vlerën e rreth 380 milionë eurove, kurse importi mbi 3 miliardë euro.