Manchester City dhe Liverpool kanë dështuar të marrin pikë të plota në javën e 10-të të Premier Ligës angleze në futboll.
City u mposht në “Etihad” nga Crystal Palace me rezultat 0-2.
Golin e parë për Crystal Palacee shënoi Zaha në minutën e gjashtë të takimit, ndërsa në pjesën e parë, City mbeti me një lojtar më pak në fushë pasi në minutën e 45+2 u ndëshkua me karton të kuq Laporte.
City gjatë tërë pjesës së dytë nuk arriti ta gjejë golin, ndërsa Crystal Palace në minutën e 88-të vulosi rezultatin përfundimtar me anë të Gallagher i cili shënoi për 0-2.
Kurse, Liverpooli ka marrë një barazim zhgënjyes ndaj Brighton në Anfield, ku barazoi me rezultat 2-2.
Serinë e golave e hapi Henderson, i cili ia dhuroi epërsinë e parë Liverpoolit në minutën e katërt, ndërsa 20 minuta më vonë, Mane e dyfishoi atë.
Katër minuta më vonë, Brighton e ngushtoi rezultatin në 2-1 me anë të Mwepu.
Ndërsa, në minutën e 65-të të takimit, Brighton barazoi shifrat në 2-2 me anë të Trossard.
Dhjetë minuta më vonë, Brighton shënoi edhe golin e epërsisë, por një gjë të tillë ia anuloi VAR-i.
Ndërsa, Chelsea ka vazhduar me formën e mirë të katër fitoreve rresht, duke e mposhtur Newcastle me rezultat 0-3.
Pjesa e parë ishte e barabartë dhe pa gola, ndërsa pas më shumë se një ore lojë, Chelsea e gjeti golin me anë të Reece James për epërsinë 0-1.
12 minuta më vonë, James shënoi golin e dytë në këtë takim për t’i dhënë golin e qetësisë Chelseat, ndërsa vetëm katër minuta pas, ishte Jorginho ai që e vulosi rezultatin e këtij takimi.
Me këto rezultate, Chelsea gjendet në pozitën e parë me 25 pikë, Liverpool në të dytën me 22 pikë ndërsa City në vendin e tretë me 20 pikë nga 10 takime.