Paris Saint-Germaini është i shqetësuar me gjendjen fizike të sulmuesit argjentinas Lionel Messi.
Para ndeshjes së PSG-së kundër Lille të premten në Ligue 1, Messi kishte ndier një shqetësim muskulor. Ai ishte titullar në atë ndeshje, por u detyrua të mos e vazhdojë lojën pas pjesës së parë, duke i lënë vend Mauro Icardit, raporton Gazeta Express.
34-vjeçari, i cili iu bashkua PSG-së si lojtari i lirë në verë, ndjeu shqetësim muskulor gjatë gjithë pjesës së parë dhe vendosi të mos e vazhdonte ndeshjen në Parc des Princes.
Trajneri Mauricio Pochettino ka shpjeguar arsyet e zëvendësimit të Messit me Icardin, kur PSG-ja po humbiste pas pjesës së parë.
“Vendimin e morëm me doktorin”, tha Pochettino.
“E zëvendësuam për të parandaluar ndonjë dëmtim. Shpresojmë se do të jetë i gatshëm për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër RB Leipzig”, shtoi ai.
Sipas gazetës së përditshme franceze L’Euqipe, Messi e ka edhe një shqetësim me gjurin, përveç telasheve muskulore.
Mjekët e klubit janë duke e vëzhguar nga afër Messin që prej ndeshjes me Lille dhe argjentinasi punoi me një fizioterapeut të dielën.
Synimi është që ai të jetë i gatshëm për RB Leipzig të mërkurën.