Vendosja e demokracisë dhe rendit ligjor në vendet ish-komuniste i dha jetë mendimit se sistemi politik liberal kombinuar me ekonominë e tregut janë garanci të mjaftueshme për prosperitetin e individit dhe për barazinë politike. Ky mendim mbizotëroi si në diskutimet e opinionit publik, ashtu dhe midis studiuesve të shkencave sociale. Si përfundim, modeli i nënshtetësisë sipas konceptit liberal-kapitalist u mendua si më i përshtatshmi për demokracitë e reja që po lindin. Ato bënë shumë pak ndryshime në programet e tyre duke mos u kushtuar vëmendje aktorëve të rinj politik apo individëve që ishin lënë jashtë nga institucionet tradicionale politike. Një përkufizim tepër i ngushtë i ‘politikës’ ka bërë që të bllokohet pjesëmarrja politike masive e grave në sistemet post-socialiste. Njëkohësisht futja e mekanizmave që do ti siguronin pjesëmarrje të barabartë të grave shpesh u panë jo legjitime dhe të papranueshme. Një program i thjeshtëzuar i tipit liberal- demokratik ka dominuar marrëdhëniet midis sferës publike, private dhe intime gjatë periudhës së tranzicionit në Evropën Qendrore – Lindore .
Kështu që duke qenë në një atmosferë të tillë dhe në vendet e Ballkanit e më konkretisht në Kosovë, iniciativat që synojnë të zgjidhin problemet e grave në lidhje me pozitën e tyre në shoqëri dhe kërkesat e tyre për politika të mundësive të barabarta përballen me tre lloj vështirësish. Së pari, ato duhet të përballen me faktin se politika konsiderohet si diçka jo profesionale, e korruptuar. Së dyti, iu duhet të përballen me lëvizje të cilat janë konformiste drejt avancimit të gruas në politikë ku shpesh gratë preferojnë dhe një strategji individuale të vetë-realizimit që janë tipike për gratë me profesion . Së fundmi, këto iniciativa përballen me legjitimimin e politikave liberal- kapitaliste, që është tepër I vështirë për t’u luftuar.
Pra është një përballje me një kulturë politike të vjetër të bazuar tashmë në modelin e tregut, që nuk e pranon dhe mbështet pjesëmarrjen politike sipas modelit të nënshtetësisë aktive. Çështja e diskriminimit strukturor mbetet e patrajtuar nën arsyetimin se ligjet kundër diskriminimeve dhe mekanizmat përkatës ligjor e kushtetues mjaftojnë për arritjen e barazisë pa futjen e mekanizmave pozitive e mbështetëse që do të siguronin barazinë.
Eksperiencat tregon se nga perspektiva liberale, përpjekja për të future ligje mbi barazinë gjinore janë kritikuar si kundërshtuese të ‘ zgjedhjes së lirë’ dhe konkurrencës së shëndetshme. Gjithashtu ekziston një përpjekje midis sociologëve dhe në media për ta shpjeguar psikologjikisht mungesën e pjesëmarrjen dhe të përfaqësimit të grave në politikë, njëlloj si për segregimin seksual të punës. Debate bëhet tepër i zjarrtë kur futet çështja e kuotave. Sapo përmenden kuotat për përballemi me ligjërime që mbështesin stereotipit për ndarjen e roleve dhe punëve në baza gjinie.
Carol Lee Bacchi na thotë se veprimi politik në mënyrë të pashmangshme përfshin përdorimin e kategorive, të cilat nuk mund të jenë neutral. Mënyra se si përdoret një kategori në një veprim politik të caktuar është vendimtare për suksesin apo dështimin e atij veprimi. Për këtë arsye analiza e kategorive politike dhe ndërtimi i kategorive analitike janë procese shumë politike. Në rastin tonë është ‘gruaja’ ose gjinia, dhe qëllimi ynë është emërtimi i politikave reformuese kundër pabarazisë, kategoria jonë është ajo e ‘politikave për mundësi të barabarta’.
Hipoteza që ngrihet është se influence dhe bashkëpunimin midis dy sferave politike, ose me saktë nivelesh të veprimit politik, në veçanti politika shtetërore dhe institucionale ( përfshi këtu dhe partitë politike) dhe iniciativat e shoqërisë civile, të gjitha janë të domosdoshme për formulimin e politikës së mundësive të barabarta dhe jetike për përpjekjet për të rritur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në vendim- marrje politike.
Ekzistojnë dy lloj strategjish për vendosjen e politikave për barazinë e mundësive, dmth modelet ‘nga lart poshtë’ dhe ‘ nga poshtë lart’ të përdorura nga institucionet dhe nga sektori i shoqërisë civile. Po kështu përmbajtja e diskutimeve publike e politike në kontekstin e socio – politike është një faktor mjaft i rëndësishëm. Pjesëmarrja dhe përfaqësimi më i madh i grave në politike është rruga drejt politikave për barazinë e mundësive, por është gjithashtu dhe rezultat I këtyre përpjekjeve. Tre zona që duhet parë me vëmendje janë:
Ekzistenca dhe forma e mekanizmave institucional për zbatimin e politikave për barazinë e mundësive,
Shoqëria civile dhe programi politik për nxitjen e grave drejt fushës së politikës,
Partitë politike, sistemet elektorale dhe influenca e tyre në shanset elektorale të grave.
Diskutim kryesor është ai mbi kuotat qoftë brenda sistemeve elektorale , qoftë tek partitë politike, ku palët ndahen në dy grupe: ato që mendojnë se sistemi i kuotave do t’i ofrojë grave mundësi të çajnë tavanin e qelqtë dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes politike dhe atyre që mendojnë se diskriminimi pozitiv do të ndikojë në harrimin e meritokracisë përkundrejt riparimit të dëmeve të mëparshme.