Fjalë Kyçe

Fjalët e para të Florent Musliajt si Dardan

Fjalët e para të Florent Musliajt si Dardan

Futbollisti i talentuar, Florent Muslija, është lojtari i radhës që i bashkohet ekipit kombëtar të Kosovës. Talenti 20-vjeçar i skuadrës së Bundesligës, Hannover, sonte, e ka nënshkruar deklaratën me të cilën përfundimisht i ka thënë “PO” ekipit të Dardanëve.

Kësisoj, Muslija do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Bernard Challandes që nga ndeshjet e shtatorit kundër Çekisë dhe Anglisë, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Në ceremoninë e nënshkrimit të konfirmimit, kanë qenë të pranishëm presidenti i FFK-së, Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, përfaqësuesit e FFK-së në Gjermani, Fekmi Kongjeli e Besim Zeneli dhe familjarët e futbollistit.

Presidenti Agim Ademi u shpreh tejet i lumtur që ekipit që po i sjell krenari vendit tonë tashmë i është bashkuar edhe një margaritar tjetër.

Ndërkaq, këto janë fjalët e tij të para si Dardan.

“Jam i lumtur që sot i bashkohem Dardanëve dhe do të jap më të mirën time për të arritur maksimumin e rezultateve me ekipin kombëtar. I falënderoj të gjithë, Besin, Fekmin dhe drejtuesit e FFK-në, por edhe familjen time që më kanë përkrahur”.

20-vjeçari i lindur në Gjermani është pjesë e Hannoverit, me të cilën skuadër ka kontratë deri në vitin 2022, derisa në edicionin e kaluar shënoi dy gola në 17 paraqitje. Florenti ka qenë pjesë e Kombëtares U20 të Gjermanisë dhe ka shënuar një gol në pesë ndeshje. /Gazeta Alo