Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar sot raportin “Transparenca financiare e kandidatëve për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale 2021”.
E gjetur e këtij raporti është që kandidatët për kryetarë të komunave kanë financuar fushatën e tyre zgjedhore kryesisht me mjete vetanake.
Në pyetësorin e KDI-së nga 166 kandidatët që kanë synuar udhëheqjen e komunave vetëm 51 prej tyre kanë ofruar përgjigje.
Eugen Cakolli nga KDI, ka prezantuar raportin, i cili tha se edhe pse korniza ligjore nuk i obligon kandidatët e subjekteve politike që të deklarojnë raportet e tyre financiare të gjithë kandidatët janë deklaruar që janë pro që një gjë e tillë të bëhet obligative.
“Edhe pse subjektet politike vazhdimisht proklamojnë se i përkrahin në mënyrë të barabartë financiarisht kandidatët e tyre, në bazë të përgjigjeve te ofruara nga kandidatët vërehet se pothuajse të gjithë kandidatët qoftë në mënyrë të pjesshme apo në mënyrë të plotë i financojnë fushatat e tyre me mjete vetanake.
Mbi 90 për qind e kandidatëve kanë deklaruar se mjetet vetanake apo buxheti i tyre personal paraqesin burimin më të rëndësishëm të financimit të kampanjave të tyre. Madje, 40 për qind e kandidatëve kanë deklaruar se nuk kanë marrë asnjë përkrahje financiare nga ana e subjekteve të tyre dhe buxheti vetanak ka qenë forma e vetme e financimit gjatë fushatës së tyre zgjedhore”, tha ai.
Cakolli tha se forma të mbështetjes së kandidatëve nga subjektet e tyre politike ka qenë mbulimi i shpenzimeve të derivateve dhe të transportit, ofrimi i burimeve njerëzore për kampanjë apo edhe shërbime të tjera të marketingut.
Sa i përket publikimit të planifikimit të shpenzimeve për fushatën zgjedhore, Cakolli tha se vetëm 27 për qind e kandidatëve kanë deklaruar se subjektet e tyre i kanë bërë publike mënyrën dhe planifikimet e shpenzimeve. Megjithatë, ai tha se nuk kanë ofruar ndonjë link se ku mund të gjenden këto të dhëna.
“Edhe pse të gjithë kandidatët e njohin rëndësinë e të qenit transparent me financat e tyre, 27 për qind e kandidatëve kanë deklaruar se subjektet e tyre i kanë bërë publike mënyrën dhe planifikimet e shpenzimeve, ndërsa mbi 70 për qind e kandidatëve deklarojnë që subjekti i tyre nuk e kanë të qasshme qoftë në platformat sociale apo në ndonjë burim tjetër mënyrën se si ata do të shpenzojnë mjetet gjatë fushatës.
Në kuadër të këtij 27 përqindëshit të kandidatëve kur të njëjtëve u është kërkuar linku se ku është e qasshme një informatë të tillë asnjë prej tyre nuk ka ofruar ndonjë link specifik se ku mund të gjenden të dhënat qoftë për shpenzime të planifikuara apo edhe shpenzime të tjera.
Këto të gjetura tregojnë që Kosova edhe pse ka avancuar ndjeshëm me përdorimin e rrjeteve sociale çalon ndjeshëm sa i përket transparencës që kanë kandidatët dhe subjektet e tyre në raport me bërjen publike qoftë të planifikimeve të shpenzimeve, të kontribuuesve të tyre apo edhe personave të tjerë të cilët eventualisht menaxhojnë me rrjetet e tyre sociale”, tha Cakolli.
Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, tha se votuesit në Kosovë vazhdimisht kërkojnë një transparencë nga ana e partive politike për financimin e fushatave zgjedhore. Ai theksoi se transparenca e financave nga ana e partive politike promovon një sistem politik transparent.