Futbolli kosovar ka të ardhme të ndritshme.
Kjo pasi vendi ynë vazhdimisht nxjerr talente, të cilët pas suksesit në futbollin vendor, të njëjtën gjë e bëjnë edhe në atë evropian.
E këtë rrugë mund ta ndjekë edhe Mërgim Cernaverni.
Talenti llapjan po shkëlqen në Ligën U-17 të Kosovës.
Ai është një sulmues i jashtëzakonshëm.
Mërgimi luan me të dyja këmbët, ndërsa armë të fortë e ka të djathtën.
Edhe pse së fundmi i ka mbushur vetëm 16 vjet, ai është protagonist në Ligën U-17 të Kosovës.
Cernaverni kishte statistika impresionuese në pjesën e parë të sezonit me ekipin llapjan, i cili do të dimërojë në pozitën e tretë.
Sulmuesi i gjatë 182 centimetra shquhet edhe për lojën në ajër.
Në 11 ndeshje të zhvilluara (mungoi në disa takime për shkak të lëndimit), ai i ka realizuar plot 14 gola, që i bie mesatare e jashtëzakonshme prej më shumë se një goli për ndeshje.
Madje, i ka realizuar “hat-trick” FC Prishtinës.
Dhe, këto shifra e kanë bërë atë golashënuesin më të mirë të pjesës së parë të sezonit.
Ai ndihet mjaft mirë për këtë fakt, ndërsa premton se do të punojë fort që të mos ndalet as në pranverë.
“Dua të mbetem modest, mirëpo ky vlerësim si golashënuesi më i mirë i pjesës së parë të këtij sezoni sigurisht që më bën të ndihem shumë mirë dhe krenar me veten”, thotë fillimisht talenti kosovar në një bisedë me “Gazetën Express”.
“Sigurisht që po, do të mundohem të vazhdoj me ritëm të njëjtë edhe në pjesën e dytë të sezonit. Madje, me përkushtim edhe më të lartë”, shton ai.
Mërgimi e kishte nisur karrierën kur ishte fëmijë.
Ai nuk e ka ndërruar asnjëherë klubin e qytetit, ku synon të vazhdojë të luajë.
“Karrierën futbollistike e kam filluar që nga mosha 7 vjeçare në klubin e futbollit Llapi, duke vazhduar kështu edhe sot në të njëjtin klub”, shpjegon Cernaverni.
Por, çka e veçon Mërgimin nga të tjerët? Çka e bën atë një “vrasës” para portave kundërshtare?
“Çelës të suksesit tim mund ta quaj angazhimin dhe disiplinën e treguar gjatë ushtrimeve dhe lojës në tërësi, e cila edhe më veçon nga kundërshtarët. Përveç këtyre, më veçon edhe loja në ajër, goditja dhe gjindshmëria para portës. Këto virtyte më bëjnë ky që jam”, thotë tutje Cernaverni.
Krahas aspektit individual, ai po mendon edhe për ekipin.
Për vitin 2022 e ka një dëshirë të mëdha, të cilën e zbulon për “Gazetën Express”.
“Dëshira për ta fituar titullin e kampionit me Llapin është shumë e madhe dhe besojmë se do ta arrijmë këtë synim”, insiston ai.
Paraqitjet e tij kanë nisur t’i përcjellin edhe skautët, vendorë dhe të huaj.
Por, për momentin ai është i fokusuar vetëm në ekipin aktual.
“Ofertat vazhdojnë të jenë prezentë, mirëpo vendimi i deritashëm është të luaj për klubin e hapave të mi fillestarë, pra për KF Llapin”, thotë i bindur Cernaverni.
Madje, “Express” mëson se edhe përzgjedhësi i ekipit U-17 të Kosovës, Arsim Abazi e ka në vëzhgim talentin llapjan.
Ai nuk e fsheh dëshirën për të luajtur për Kombëtaren e Kosovës, në ekipet zinxhirore, që nga U-17 e deri në Ekipin A.
“Ndër synimet për të ardhmen time është që të jem pjesë e Përfaqësueses së Kosovës dhe ta përfaqësoj atë në mënyrë sa më të denjë. Pra, fillimisht synoj të luaj me grupmoshat e reja, e më pas, pse jo edhe në Kategorinë A”, shton ai.
Ndërkohë, Mërgimi po punon fort që t’i realizojë ëndrrat e tij.
Prej tyre është edhe që t’i prek majat e futbollit evropian.
“Patjetër që po, synim po ashtu është që të arrij suksese edhe në futbollin evropian”, vazhdoi ai.
Cernaverni zbulon se ekipi i tij i preferuar në futbollin evropian është Real Madridi.
Kurse, lojtar të preferuar dhe model e ka Karim Benzeman.
Ai shprehet se sulmuesi francez është shembull për të dhe se mundohet t’i ndjekë hapat e tij, për t’i arritur sukseset e dëshiruara.
Në fund, ai i falënderon trajnerët e klubit llapjan, Meriton Mehmeti dhe Mehmet Agushi, për të cilët thotë se nuk kursejnë asgjë gjatë punës për ta ngritur kualitetin e lojtarëve për grupmoshat U-17.