Fjalë Kyçe

Batatina përsëri objektivat tek “Llapi Evropian”: Jo tash me çdo kusht veç kampion, kampion

Batatina përsëri objektivat tek “Llapi Evropian”: Jo tash me çdo kusht veç kampion, kampion

Stinori vjeshtor dhe faza e dytë e kampionit në Superligën e Kosovës në futboll është mbyllur ditën e djeshme.

Lidhur me këtë stinor vjeshtor dhe planet për stinorin pranveror, ka folur kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina, i cili theksoi se objektivi i Llapit janë garat Evropiane, ku debutuan këtë vit që po e lëm pas.

“Sa i përket Llapit jemi të qetë, objektivi jonë janë garat e Evropës, nuk do të lidhemi nga parimet që të bëhemi kampion, do të tentojmë me çdo kusht, por jo tash me çdo kusht veç kampion, kampion. Kampion bëhesh duke shkuar prej ndeshjes në ndeshje. Nuk e kemi fort atë problematikën, ngarkesën që me çdo kusht me u bë kampion, qëllimi jonë është me arritë prapë Evropën edhe në këtë kampionat, si skuadër si ekip, sepse këmi bërë kushte të mira. Kemi organizim të mire” – tha Batatina për Insportin.

Aventura e Llapit në Evropë, përkatësisht në Europa Conference League, përfundoi pasi u mposht 3-1 nga Shkupi me rezultat të përgjithshëm. Llapi barazoi 1-1 me Shkupin në sfidën e kthimit në “Fadil Vokrri”, teksa kishte humbur 2-0 në takimin e parë.

Trajneri i Llapit, Batatina zbuloi se me ekipin e Llapit do të udhëtojnë drejt Antalisë, atje ku do t’i vazhdojnë stërvitjet e fazës së dytë përgatitore.

“Faza përgatitore është e planifikuar të fillojë me 5 janar, ku pjesën e parë do ta zhvillojmë në Podujevë, ndërsa nga data 21 janar, në fazën e dytë përgatitore do të jemi në Antalya, ku do të qëndrojmë deri me 3 shkurt” – tha Batatina.

Tutje, Batatina shtoi se tek skuadra e Llapit në merkaton e janarit nuk do të ketë largime, derisa do të jenë dy prurje të reja

“Llapi nuk do të ketë shumë largime, apo hiç. Do t’i ketë dy prurje, një qendërsulmues dhe një mesfushor. Pozicionet e tjera i kemi të mbuluara shumë mirë”

Në ndeshjen e fundit të këtij stinori, ekipi i Llapit e mposhti kampionin në fuqi, Prishtinën, duke u renditur në pozitën e katërt me 29 pikë. Derisa pozitën e parë, duke u shpallur edhe kampion vjeshtor e zuri Gjilani i Ismet Munishit, për të cilët Munishi thotë se i sheh konkurrentë të fortë.

“Gjilanin e kemi konkurrentë të parin për titull të Kampionit, bashkangjitur me Gjilanin janë edhe Drita e Ballkani, mendoj që këtë skuadra do të jenë konkurrentë, të katër skuadrat që jemi, të katërtat do të luftojmë për titull. Prishtina pak ka ngecë me pikë, por nuk do të thotë që nuk na bashkangjitet sepse gara është e gjatë” – përfundoi Batatina.

Ndryshe, BKT Superliga e Kosovës do të rinisë më 12 e 13 shkurt.