Presidenti Agim Ademi në shoqëri të nënkryetarit Bakir Burri, drejtorit të Kombëtares, Muharrem Sahiti, kapitenit të Kombëtares së veteranëve, Sylejman Selimi, futbollistit të Kombëtares, Edon Zhegrova dhe kryetarit të tifo-grupit “Dardanët”, Lulzim Berisha, në kuadër të festave të fundvitit, sot, kanë vizituar SOS Fshatin në Prishtinë, shoqatën HANDIKOS dhe shoqatën Down Syndrome Kosova, me ç’rast kanë bërë edhe shpërndarjen e dhuratave modeste.
Gjatë vizitës në SOS Fshat, presidenti Ademi shprehur mirënjohje për drejtuesit dhe stafin e kësaj qendre për punën dhe përkushtimin që kanë për fëmijët e moshave të ndryshme, e të cilët për shkaqe e arsye të ndryshme kanë mbetur pa përkujdesjen prindërore.
Ai theksoi se kjo vizitë përveç shpërndarjes së dhuratave për fëmijët ka edhe qëllimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me qëllim që fëmijët që janë pjesë e SOS Fshatit të kenë qasje edhe në aktivitetet e ndryshme të futbollit.
“Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë punën dhe veprimtarinë tuaj dhe e konsiderojmë atë si mision të shenjtë, sepse vërtet është i tillë. Ne, si institucion i futbollit jemi të gatshëm të ju ndihmojmë në çdo aspekt që kemi mundësi dhe që ju e shihni të nevojshme. Pra, dera e FFK-së për ju do të jetë gjithmonë e hapur. Të gjithë ata fëmijë që kanë talent dhe dëshirë për të qenë pjesë e futbollit ne jemi të gatshëm që t’ju ndihmojmë që t’ua realizoni ëndrrën. Para pak kohësh kemi investuar në fushën e stadiumit ‘Rilindja’ edhe në saje të bashkëpunimit që keni ju me këtë klub. Pra, sa i përket aspektit sportiv jemi çdo herë të gatshëm të ju ndihmojmë dhe të jemi afër fëmijëve që janë pjesë e kësaj shtëpie të madhe, sepse sigurisht se në të ardhmen nga këtu do të kemi edhe ndonjë sportist të madh”, ka thënë presidenti Ademi./express