Vedat Muriqi e ka nisur mbarë aventurën e tij te skuadra spanjolle, Mallorca. Pasi u tregua më i miri në fushë në ndeshjen e Kupës, sot Vedat Muriqi e hapi llogarinë në La Liga qysh në debutimin e tij në këtë ligë.
Sulmuesi kosovar shënoi golin e fitores së Mallorcas e cila përmbysi Cadizin për të triumfuar 2:1.
Ai realizoi nga penalltia në minutën e 66-të për t’ia dhënë fitoren vendasve dhe arkëtimin e tri pikëve shumë të rëndësishme.
Pas ndeshjes, ai ka reaguar në profilin e tij në Twitter, duke e falënderuar bashkëlojtarin e tij, Sevillan, që ia la të gjuante penalltinë vendimtare, përcjell express.
“Jam shumë i lumtur sepse sot fituam në shtëpi dhe kontribuova për ekipin tim. Ne do të vazhdojmë të punojmë për më të mirën”, shkroi fillimisht sulmuesi kosovar.
“Faleminderit për dhuratën, vëlla”, reagoi ai.