Pierre Emerick Aubameyang vodhi spektaklin mbrëmë në ‘Santiago Bernabeu’, me dy gola, një asistim, por edhe një festim ikonik.
Sulmuesi nga Gaboni shkëlqeu në ‘El Clasicon’ e tij të parë, por edhe hapi shumë komente me festën e tij pas golit të shënuar.
Aubameyang festoi me një sferë të kuqe dhe dy gishta në kokë, që simbolizonin ‘teleportimin’.
Ai, pas ndeshjes postoi në ‘Twitter’ një foto të tij dhe Gokut të edituar, duke lënë një mbishkrim. “Përshëndetje nga lojtari i mbaraur”, përcjell lajmi.net.
Por, kjo nuk është e gjitha. Ai dha një përshkrim më të detajuar mbi kuptimin e festës së tij pas golit.
“Festa ‘Dragon Ball Z’? Mund të kërkosh një dëshirë me këtë sferë dhe unë kërkova të fitoja ndeshjen dhe të shënoja gol”, ka thënë Auba.
“Një mik i imi më dha sferën dhe ne e kishim përgatitur këtë”, shtoi ylli i Barcës.
Aubameyang shquhet për festat e tij interesante pas golave, por kjo e mbrëmshmja ka bërë bujë jashtëzakonisht të madhe, pasur parasysh edhe peshën e sfidës, që është ‘El Clasico’.