Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, i cili po bëhet gati që të mërkurën ta marrë një tjetër mandat pa asnjë kundërkandidat dhe përmes një Kuvendi me shkelje ligjore dhe statutore siç ka konstatuar MKRS, nuk e ka thënë asnjë fjalë të vetme rreth incidentit të turpshëm që ndodhi dje në ndeshjen vendimtare për titull në mes Gjilanit dhe Ballkanit, raporton Gazeta Express.
Kjo ndeshje u ndërpre si pasojë e sulmit brutal që u shkaktua ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri, i cili humbi ndjenjat dhe me autoambulancë u dërgua në spital. Shikuesit u futën në fushën e stadiumit në Gjilan, ku u lejua të zhvillohet ndeshja vendimtare për titull të kampionit, pavarësisht mos përmbushjes së kritereve për ta pritur një ndeshje të tillë, ku mungojnë madje edhe rrethojat.
Derisa Policia e Kosovës i ka arrestuar pesë persona në lidhje me incidentin e madh që bëri jehonë negative edhe përtej kufijve të Kosovës, kryetari i Komisionit për inspektimin e objekteve sportive pranë Federatës, Isak Rakovica, dje pas eksesit tha se nuk e di nëse stadiumi i qytetit të Gjilanit është i pranuar apo jo për t’u zhvilluar ndeshje futbolli.
Në anën tjetër, kryetari Ademi deri më tani ka heshtur, ndonëse deri para këtij rasti ka bërë fushatë intensive si përmes faqes zyrtare të tij në “Facebook” ashtu edhe përmes uebfaqes së FFK-së, shkruan Gazeta Express.
Ademi këto ditë ka marrë pjesë në Kongresin e FIFA-s në Katar, prej ku ka bërë postime të shpeshta në “Facebook” duke shpërndarë fotografi e video me fytyrat më eminente të futbollit botëror që janë tubuar në Doha. Atje kanë qenë edhe kryetarë tjerë federatash, por as Armand Duka nga Shqipëria e as Muhamed Sejdini nga Maqedonia nuk kanë bërë si Ademi.
Duka e ka bërë vetëm një postim nga Doha, kurse Sejdini asnjë, derisa Agim Ademi plot shtatë postime si me Gianni Infantino, Aleksander Ceferin, Luis Figo, Zvonimir Boban, etj.
Disa nga këto postime të Ademit janë shpërndarë edhe në faqen zyrtare të Federatës, të cilat nga mbështetësit e Ademit janë përdorur për t’i bërë fushatë liderit, i cili pavarësisht telasheve të mëdha me të cilat po përballet qe një kohë, domosdoshmërish e do mandatin e dytë.
Por, Ademi deri më tani nuk e ka bërë asnjë postim në lidhje me dhunën brutale që shpërtheu dje në Gjilan, e as me dhunën e shfaqur po dje në Ligën e Tretë të Kosovës, ku rrobat e referit ishin shqyer në total.
Ndërkohë, pardje vetëm tri orë para ndeshjes u caktua vendtakimi i derbit tjetër të madh në mes Prishtinës e Llapit, çka e tregon amatorizimin në futbollin e Kosovës, pjesë e së cilës është bërë edhe vet FFK-ja, zyrtari përgjegjës nga e cila nuk e dinte se a është i licencuar stadiumi në Gjilan nga ana e FFK-së, ndërsa te ndeshja Prishtina – Llapi, FFK-ja vetëm 24 orë para lojës i kishte thënë Prishtinës që nuk mund të luajë në “Fadil Vokrri”.
Vetëm FFK-ja si institucion e ka lëshuar një reagim duke e dënuar dhunën e shfaqur në Gjilan.